Antony Blinken. Screenshot: Kryeministria/Facebook

Blinken: S'mund të ketë ripërsëritje të asaj që ka ngjarë dhe që njerëzit kanë përjetuar në vitet 1990

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë konferencës për media të mbajtur më 15.02.2024 në Tiranë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, u pyet edhe për situatën në Ballkan, sidomos për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai kujtoi fillimet e punës së tij në Departament të Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë, 30 vjet më parë.

Blinken tha se sfida që ishte nga fillimi deri në fund të punës së tij ishte Ballkani, fillimisht Bosnja dhe Hercegovina e më pas Kosova.

Ai tha se nuk mund të ketë një ripërsëritje të asaj që ka ngjarë.

“Nuk mund të kemi ripërsëritje të asaj që kemi parë dhe të asaj që shumë njerëz kanë përjetuar në vitet 1990. Për këtë arsye jemi të angazhuar që të mbështesim të gjitha përpjekjet për të çuar përpara integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me njëri-tjetrin dhe me Europën” – u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë fjalimit të tij, komentoi situatën mes Kosovës e Serbisë.

Ai përsëriti apelin e tij për autoritetet e Kosovës që të mos bëjnë asnjë hap të pakonsultuar, të pakoordinuar me aleatët strategjikë sepse “është në radhë të parë në interesin e Kosovës dhe pastaj të aleancës së tyre”.

“Me veprime të pakonsultuara e të pakoordinuara mund te fitohen mbase ca vota por nuk fitohet e ardhmja” – tha kryeministri i Shqipërisë.

Rama gjithashtu tha se shqiptarët kudo që janë, duke filluar nga shqiptaret Kosovës, duhet të mos e harrojnë se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të kishte një shtet të pavarur të Kosovës.

Ai tutje tha se përsërit apelin e tij për autoritetet e Prishtinës që t mos bëjnë asnjë hap të pa konsultuar, të pa koordinuar me aleatët strategjik.

“Kjo sepse është në radhë të parë në interesin e tyre dhe patjetër pastaj është në interesin në aleancën tonë” – tha Rama.

Ai theksoi se sigurisht që vazhdojnë të nxisin, sipas tij, dialogun e pazëvendësueshëm me asgjë tjetër në mes Kosovës dhe Serbisë.

Rama shtoi se SHBA mbesin mbështetëse të palëkundura të procesit të njohjes përfundimtare të Kosovës dhe të përmbushjes së subjektivitetit kombëtar të Kosovës.

“Interesi i SHBA në këtë rajon dhe specifik për mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri dhe Kosovës nuk është interes i dorës së dytë e as i ndarë në çfarëdo aspekti për të ndërtuar një paqe për gjeneratat e tjera dhe pa diskutim që ne ndjehemi të keq-ardhur sa herë që shohim hapa mbrapa” – u shpreh shefi i Qeverisë së Shqipërisë.

I njëjti shtoi se janë të vetëdijshëm për dhimbjen e plagëve të një tragjedie jo shumë të largët për ata që jetojnë në Kosovë, duke iu referuar këtu luftës në Kosovë.

Ai tha se janë të vetëdijshëm edhe për faktin se siç ishte rasti i sulmit terrorist në Banjskë, Serbia nuk e ndihmon gjithmonë procesin, por në radhë të parë shqiptarët e Kosovës dhe të gjithë tjerët duhet të jenë të vetëdijshëm se është në interesin e tyre, të Kosovës, që të përparojë unilateralisht nëse është nevoja në realizimin e të gjitha atyre kërkesave që janë në tryezën e dialogut.

Rama tha se këto nuk janë kërkesa shtrënguese, që Kosova të lëshojë asnjë milimetër nga dinjiteti, sovraniteti dhe ardhmëria e vet, por janë kërkesa që bëjnë të mundur përmes realizimit të tyre krijimin e një konteksti që e ngre lart Republikën e Kosovës

Në takimin e Sekretarit amerikan të Shtetit me krerët e shtetit shqiptar u nënshkruan edhe Memorandum Mirëkuptimi mbi Shkëmbimin Akademik “Fulbright” dhe Memorandum Mirëkuptimi për luftën kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja në Tiranë.

Sipas agjendës së publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, Blinken fillimisht zhvilloi një takim në Ambasadën amerikane në Tiranë në 13:35h.

Në 14:15h u takua me aplikantët afganë për vizë emigruese speciale.

Më pas në 15:05h Blinken u takua me presidentin shqiptar, Bajram Begaj. Ndërsa në 15:35h, Sekretari Blinken mbajti një fjalim në një aktivitet të të rinjve dhe të diplomuarve me temë “Festojmë të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri”.

Në 16:15h, Sekretari amerikan i Shtetit filloi takimin me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Vizita e Blinken po përcillet me masa të larta sigurie.

Policia e Shtetit ka njoftuar se qarkullimi i automjeteve në disa pjesë të Tiranës do të jetë i ndaluar prej mëngjesit të datës 15.02.2024 deri në përfundim të vizitës së Blinken pasdite.

Kryeministri Rama ka thënë se vizita e paraparë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken është e një rëndësie të veçantë.

Sipas tij, vizita e Blinken tregon se shteti shqiptar është ngritur në “një tjetër nivel” në pozicionimin e tij ndërkombëtar.

“Pa diskutim që është një vizitë me rëndësi të veçantë vizita e çdo Sekretari të Shtetit në Shqipëri. Në fund të fundit, Shqipëria nuk është një vend i madh, as me fuqi ushtarake. Por, me sa duket, është një vend i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, në këtë kohë kaq të trazuar. Kjo do të thotë se Shqipëria është ngjitur në një tjetër nivel në aspektin e pozicionimit dhe prezantimit të saj ndërkombëtar siç është angazhimi i fundit në Këshillin e Sigurimit”- ka thënë ai në ATV më 14.02.2024.

Rama ka thanë se kjo vizitë lidhet edhe me një besim shumë të fortë të aleatëve strategjikë te Shqipëria, pesha në rajon dhe me një konsideratë të veçantë me rolin që ka marrë përsipër Shqipëria në rajon si një dorë e shtrirë e miqësisë.

Kjo është vizita e parë e Antony Blinken në Shqipëri dhe e gjashta e një Sekretari amerikan të Shtetit.