Anthony Blinken

Blinken flet me aleatët e G7-ës për situatën e fundit në Rusi

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken ka folur me ministrat e jashtëm të G7-ës dhe përfaqësuesin e lartë për punë të jashtme e siguri të BE-së lidhur me situatën e fundit në Rusi.

Përmes rrjetit Twitter Blinken është shprehur se SHBA do qëndroj në koordinim të afërt me aleatët lidhur me këtë situatë.

“Bisedova sot me Ministrat e Jashtëm të G7 dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë për të diskutuar lidhur me situatën në Rusi. Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë në koordinim të ngushtë me aleatët dhe partnerët derisa situata vazhdon të jetë në zhvillim”- ka shkruar Blinken.

Nga dita e premte Moska ka rritur sigurinë pasi shefi i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin po akuzohet për nxitje të rebelimit.

Ngjarja paraqet një përshkallëzim befasues të grindjeve brenda Rusisë.

Grupi Wagner është organizatë paraushtarake që lufton përkrah forcave ruse në Ukrainë.

Në muajt e fundit, Prigozhin është bërë gjithnjë e më i zëshëm në kritikat e tij kundër udhëheqjes ushtarake të Rusisë.

Prigozhin ka qenë dikur aleat i Putinit. Në janar të këtij viti, SHBA-ja e ka shpallur grupin e tij, Ëagner, organizatë kriminale transkombëtare, për shkak të aktiviteteve në Ukrainë, por edhe në Lindje të Mesme dhe në Afrikë. Si Prigozhin, ashtu edhe grupi janë të sanksionuar nga Perëndimi.