Sekretari i Shtetit Antony Blinken, majtas, përshëndet Ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov përpara takimit të tyre, të premten, 21 janar 2022, në Gjenevë, Zvicër.

Blinken dhe Lavrov do të zhvillojnë bisedime pas përballjes SHBA-Rusi në OKB

Diplomatët e lartë nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia pritet të flasin me telefon të martën, një ditë pasi përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara nga të dy vendet u përballën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi akuzat e mohuara nga Rusia se po planifikon një pushtim në shkallë të gjerë të Ukrainës.

Përpjekjet diplomatike të së martës për ta adresuar krizën përfshijnë gjithashtu një udhëtim të kryeministrit britanik Boris Johnson në Kiev për bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të tërhiqet dhe të angazhohet në dialog për të gjetur një zgjidhje diplomatike dhe për të shmangur gjakderdhjen e mëtejshme”, tha Johnson në një deklaratë.

Britania, sikurse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë perëndimorë, i kanë ofruar armë Ukrainës dhe kryeministri Johnson po e konsideron dyfishimin e trupave britanike në vendet baltike.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov zhvilluan bisedime ballë për ballë më 21 janar në Gjenevë dhe që atëherë të dyja palët kanë shkëmbyer përgjigje me shkrim në mënyrë që të përpiqen t’i bëjnë të qarta qëndrimet e tyre.

Rusia tha se një dokument i SHBA-së nuk arriti t’i adresonte shqetësimet e saj kryesore të sigurisë, të cilat përfshijnë kundërshtimin e saj ndaj zgjerimit të mëtejshëm drejt lindjes të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, veçanërisht në Ukrainë. Shtetet e Bashkuara, NATO dhe Ukraina e kanë konsideruar të gjitha një kërkesë të tillë si një kufizim të papranueshëm në aftësinë e tyre për të vendosur për punët e tyre.

Shtetet e Bashkuara morën një kundërpërgjigjie ruse të hënën, por zyrtarët e Departamentit të Shtetit nuk pranuan të diskutojnë përmbajtjen e saj, duke përmendur dëshirën për ta mbajtur procesin e negociatave privat.

Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar se do të vendosin sanksione të ashpra ekonomike nëse Rusia e pushton Ukrainën. Në vitin 2014, Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës dhe thotë se nuk ka plane ta pushtojë përsëri Ukrainën./VoA