Ish-kryeministri britanik, Tony Blair mbërrin në Kosovë

Blair: Pres me padurim ditën kur Kosova do ta zë vendin në familjen e kombeve

Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se është i emocionuar që gjendet përsëri në Kosovë.

Në 25- vjetorin e çlirimit të Kosovës, Blair ka përmendur vitin 1999, kur Britania e Madhe ishte ndër të shtetet e para që e shtyu përpara agjendën e çlirimit të Kosovës.

“Atëherë isha i bindur se ishte gjëja e duhur për ta bërë këtë dhe ende e kam këtë bindje. Edhe tani jam i bindur që duhet t’u rrijmë krah njerëzve të Kosovës që e ardhmja të jetë në linjë me meritat e njerëzve të saj”, deklaroi Blair.

Ai shtoi se në Kosovë po ndodhin shumë gjëra pozitive që janë mësim për terë botën.

“Pres me padurim ta shoh ditën kur Kosova do ta zë vendin e duhur në familjen e kombeve si shembull për tërë botën”, shtoi Blair.

Ish-kryeministri birtanez shprehu falënderim dhe solidarizim me kosovarët.

Blair, së bashku me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, konsiderohen si mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës gjatë periudhës së luftës.

Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për kontributin që ai e ka dhënë, disa të rinj në Kosovë e bartin emrin e tij.