Bizneset e huaja që ofrojnë shërbime elektronike digjitale në Kosovë, duhet ta paguajnë TVSh-në 18%

Nëpërmjet njoftimit për media, Administrata Tatimore e Kosovës, rikujton të gjitha entitetet e huaja që ofrojnë shërbime digjitale apo shërbime të furnizuara në mënyrë elektronike, që bazuar në Legjislacionin Tatimor të Kosovës në fuqi, ofruesit e tillë kanë për obligim që të regjistrohen për TVSh në Kosovë dhe të ngarkojnë TVSh në normën standarde prej 18 për qind në shitjet e tyre ndaj personave (konsumatorëve) jo të tatueshëm në territorin e Republikës së Kosovës.

ATK tregon se për kush duhet të deklaroj dhe paguaj TVSh-në.

“Sipas legjislacionit në fuqi, për shërbimet e ofruara në mënyrë elektronike ndaj personave jo të tatueshëm, përkatësisht personave që nuk janë të regjistruar për TVSH në Kosovë, të cilët kanë adresën e tyre të përhershme ose zakonisht banojnë në Kosovë, vendi i furnizimit të këtyre shërbimeve konsiderohet të jetë Kosova dhe duhet të ngarkohet TVSH në Kosovë në normën standarde prej 18%”, thuhet në njoftim.

Sipas ATK-së, Ligji Nr. 05/L-037 për TVSh parasheh një listë të shërbimeve të furnizuara në mënyrë elektronike, që përfshinë shërbimet si vijon:

  1. Furnizimi i ëebsiteve, ueb-hosting, mirëmbajtja në largësi e programeve dhe pajisjeve;
  2. Furnizimi i software-it dhe freskimi i tij;
  3. Furnizimi i figurës, tekstit dhe informatave, dhe vënia në dispozicion e bazës së shënimeve;
  4. Furnizimi i muzikës, filmave dhe lojërave, duke përfshirë lojërat shpërblyese dhe lojërat e bixhozit, ngjarjeve politike, kulturore, artistike, sportive, shkencore dhe emisioneve zbavitëse;
  5. Furnizimi i mësimit nga largësia.

Tutje Administrata Tatimore e Kosovës, njofton ofruesit e huaj të shërbimeve të furnizuara në mënyrë elektronike se përmbushja e obligimeve tatimore duhet të bëhet qoftë përmes emërimit të përfaqësuesit fiskal apo përmes regjistrimit të njësisë së përhershme në Kosovë.

Obligimi për regjistrim rrjedh që nga fillimi i aktivitetit ekonomik në Kosovë, përkatësisht ofruesit ligjërisht obligohen të regjistrohen për TVSH para se të realizojnë shitje të tatueshme në Kosovë.

Mos përmbushja tatimore sipas legjislacionit të aplikueshëm dhe kryerja e aktiviteteve ekonomike në Kosovë pa regjistrim fiskal, sipas ATK-së është subjekt i sanksioneve të ndryshme të parapara me Ligjin Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat.

ATK inkurajon të gjithë ofruesit e shërbimeve të furnizuara në mënyrë elektronike qoftë vendor apo ndërkombëtar që të regjistrohen për TVSh dhe të përmbushin obligimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi.