Bislimi: Në dhjetor Kosova pritet të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE

Mesi i muajit dhjetor është koha kur pritet që Kosova të aplikojë për statusin e vendit të kandidatit për anëtarësim në Bashkim Evropian (BE).

Kështu ka njoftuar të mërkurën zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi para deputetëve në Komisionin për Integrim Evropian.

Bislimi ka thënë se janë në koordinim të ngushtë me Presidencën çeke të BE, për ta konfirmuar datën.

“Ne që vitin e kaluar kemi deklaruar se planifikojmë këtë vit të dorëzojmë aplikimin, është gabim te thuhet a është momenti i duhur. Ne kemi dërguar një ekip prej 4 ekspertëve në Bruksel për bisedime me vendet për të marrë feed-back nga ata. Jemi në koordinim te ngushtë me presidencën ceke, për ta konfirmuar datën. Ne kemi një datë që është mesi i muajit dhjetor”- ka thënë Bislimi.

Aplikimi për statusin e vendit kandidat në fund të këtij viti është paralajmëruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Synimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat në BE, një rrugë pa fund