Flamuri i Kosovës dhe ai i BE-së - Foto: REL/Reuters

Synimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat në BE, një rrugë pa fund

Fundi i këtij viti është koha për të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se do të aplikojnë për statusin e vendit të kandidatit për anëtarësim në Bashkim Evropian (BE)

Mirëpo një paralajmërim i tillë i kreut të ekzekutivit, nuk po vlerësohet të hapi i duhur nga njohësit e politikës së jashtme marrë parasysh zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi, mungesën e liberalizimit të vizave dhe mungesën e njohjes nga 5 vende të BE-së.

E pas këtij aplikimi, Kosovën do ta pres një rrugë e vështirë negociatash ashtu si vendet e Ballkanit të cilat kanë mbi 10 vite rrugëtim e ende nuk kanë arritur në destinacion.

Vizat, dialogu apo anëtarësimi në BE?

‘Gabim në hapa’ kështu e ka cilësuar drejtoresha ekzekutive e platformës CiviKos, Donika Emini paralajmërimin e qeverisë së Kosovës për të aplikuar për statusin e vendit kandidat të Bashkimit Evropian.

Emini për KALLXO.com, ka vlerësuar se Kosova duhet të fokusohet më shumë në liberalizimin e vizave pasi që sipas saj aty janë plotësuar të gjitha kriteret.

“Nuk besoj që është hapi i duhur pa përfunduar liberalizimi i vizave si proces sepse Kosova nuk e ka kapacitetin politik dhe nuk ka vullnet politik nga BE që t`i shqyrtoj dy raste, dy procese që janë paralele, janë procese të ndryshme e që marrin shumë kapital politik”, tha ajo.

Visar Xhambazi nga S’bunker, thotë se në esencë aplikimi për statusin e vendit kandidat nuk është gabim.

“Kjo duhet të ndodhë në rrethana tejet specifike dhe në bashkëpunim të ngushtë me shtetet e BE-së. Gjithashtu, kjo duhet të ndodhë në një moment kur dialogu Kosovë-Serbi përjeton një progres të jashtëzakonshëm, të cilin progres Qeveria e Kosovës mund ta kapitalizojë me aplikim dhe eventualisht marrje të statusit kandidat”, ka thënë Xhambazi për KALLXO.com.

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk e ka liberalizimin e vizave i cili është premtuar që nga viti 2012 nga të gjitha qeveritë e Kosovës. Vetëm qeveria Kurti nuk ka dhënë ndonjë premtim se kur pritet që kosovarët të udhëtojnë pa viza.

Në anën tjetër procesi i dialogut mes Serbisë dhe Kosovës ka filluar që nga viti 2011, dhe deri më tani në kuadër të këtij dialogu i cili në fillim është quajtur teknik, janë nënshkruar rreth 33 marrëveshje.

Çka pas aplikimit?

Kosova duhet ta dorëzojë aplikimin për anëtarësim në Këshill, i cili më pas i kërkon Komisionit të vlerësojë aftësinë e aplikuesit për të përmbushur kushtet e anëtarësimit.

Nëse Komisioni dorëzon një opinion pozitiv, dhe Këshilli unanimisht miraton një mandat negocimi, atëherë hapen zyrtarisht negociatat midis vendit kandidat dhe Shteteve Anëtare.

Për Visar Xhambazin, marrja e statusit kandidat do të ishte një sukses i madh për Kosovën, por që sipas tij sfida kryesore do të ishte rruga drejtë BE-së.

“Rruga drejt integrimit evropian është e gjatë dhe e mundimshme, në aspektin simbolik do të ishte një hap i madh drejt konsolidimit të pavarësisë së Kosovës dhe legjitimitetit ndërkombëtar”, ka thënë Xhambazi.

Sipas tij, Kosova në rrugën drejtë Bashkimit Evropian ka dy pengesa të cilat janë shumë të vështira.

“Kosova do ta ketë shumë të vështirë ta arrijë këtë qëllim, për shkak të mosnjohjes nga pesë vendet e BE-së: Greqia, Qipro, Rumania, Sllovakia dhe Spanja. Gjithashtu, rruga drejt integrimit evropian lidhet ngushtë me progresin në dialogun Kosovë-Serbi”, tha ai.

Në anën tjetër drejtoresha ekzekutive e platformës CiviKos, Donika Emini thotë se aplikimi i Kosovës mund të përfundoj në gjykatë.

“Në rastin e Kosovës është problematike për shkak të 5 vendeve mos njohëse dhe ky aplikim mund të përfundoj në gjykatë nga vendet mos njohëse sidomos Spanja dhe mund ta bllokoj pastaj të ardhmen e Kosovës në të gjitha mekanizmat ndërkombëtar për bashkëpunim”, tha ajo.

Ndonëse ka shpallur pavarësinë nga viti 2008, Kosova ende nuk është njohur nga 5 shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja janë 5 vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë.

Vendet e rajonit mbi një dekadë rrugë drejtë Bashkimit Evropian…

“Të bëhesh anëtar i BE-së është një procedurë komplekse që nuk ndodh brenda natës”, kjo është fjalia hyrëse në ueb-faqen e Bashkimit Evropian.

Aktualisht vende kandidate për në Bashkimin Evropian janë edhe shtetet e tona fqinje si: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, e pastaj edhe Turqia, Moldavia dhe Ukraina.

Ndërsa Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë statusin e kandidateve potenciale.

Shqipëria, kërkesën e saj zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian e ka bërë në vitin 2009. Aplikacioni i saj për t’iu bashkuar familjes së madhe të vendeve evropiane ishte shqyrtuar pas një viti ku edhe i ishin caktuar 12 priorite për ti përmbushur.

Ndërsa kërkesës së saj për statusin e vendit kandidat, BE-ja kishte dhënë përgjigje pozitive në qershor të vitit 2014.

Në konkluzionet e tij të qershorit 2018, Këshilli përcaktoi rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit në qershor 2019, në varësi të progresit të bërë në fusha kyçe si gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, shërbimet e inteligjencës dhe administrata publike.

Komisioni përsëriti rekomandimin për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në Paketën e Zgjerimit të miratuar në maj 2019.

Ndërsa në mars 2020, anëtarët e Këshillit Evropian miratuan vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe në korrik 2020, drafti i kuadrit negociator iu prezantua Shteteve Anëtare.

E një vit më herët, në vitin 2008 edhe Mali i Zi aplikoi për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Këshilli shqyrtoi aplikacionin dhe Malit të Zi ia caktoi 7 priorite.

Negociatat e anëtarësimit me Malin e Zi filluan më 29 qershor 2012.

Pas tetë vjet negociatash për anëtarësim janë hapur të 33 kapitujt e shqyrtuar, nga të cilët 3 janë mbyllur përkohësisht.

Serbia ka aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2009, për t’iu dhënë statusi i vendit kandidat në mars të vitit 2012.

Deri më tani, Serbia ka hapur tetëmbëdhjetë kapituj dhe ka mbyllur përkohësisht dy kapituj.

Maqedonia e Veriut aplikoi për anëtarësim në BE në mars 2004 dhe Këshilli vendosi në dhjetor 2005 t’i japë vendit statusin kandidat.

Për t`u anëtarësuar një vend në BE duhet t`i plotësojë disa kushte që njihen si “kriteret e Kopenhagës” dhe përfshijnë një ekonomi tregu funksionale, një demokraci të qëndrueshme dhe sundim të ligjit, si dhe pranimin e të gjithë legjislacionit të BE-së, duke përfshirë edhe euron.