Bislimi në Bruksel takon drejtorin e përgjithshëm për Fqinjësi Gert Jan Koopman

Takimi i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe Drejtorit të Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman në Bruksel ka filluar me diskutimin për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Siç bëhet e ditur në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit, Bislimi ka thënë se ngjarja e 24 shtatorit ka qenë një sulm terroristë në të cilin janë përfshirë institucionet e Serbisë.

“Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi z. Koopman për mesazhin e tij, duke thënë se ky ishte një sulm terrorist tashmë i faktuar me përfshirje të institucioneve të Serbisë e akt agresioni me një seri përgatitjesh të mëhershme e objektiv të qartë: shkeljen e integritetit territorial, sovranitetit të Republikës së Kosovës e tentativë për destabilizim të vendit tonë e të rajonit”- thuhet në komunikatë.

Tutje sipas komunikatës, temë qendrore e diskutimit, ishin projektet në bashkëpunim me Bashkimin Evropian si dhe perspektiva e zgjerimit të BE-së.

“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se Republika e Kosovës e vlerëson lartësisht iniciativën e Komisionit të BE-së për planin e ri për zgjerim prezantuar nga Presidentja e Komisionit, znj. Von Der Leyen, si dhe pritshmëritë e Këshillit të BE-së, përfaqësuar nga Presidenti i Këshillit, z. Michel, që zgjerimi të arrihet deri më 2030”- thuhet tuje aty.

Bislimi sipas komunikatës, po ashtu e ka njoftuar drejtorin Koopman se  Kosova e sheh veten pjesë të familjes evropiane.

“Viti i kaluar ka qenë veçanërisht vit evropian për Kosovën ku vendi ynë ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe Këshill të Evropës, si dhe pas punës së përkushtuar të institucioneve të Republikës për arritjen e Liberalizimit të Vizave”- thuhet në komunikatë.

E pranishme në këtë takim ka qenë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e cila sipas komunikatës ka folur mbi projektet në kuadër të Pakos për Energji e financuar nga BE-ja, si dhe impaktin e shpejtë pozitiv që po e kanë këto projekte.

“Sektori i energjisë është një nga sektorët ku Qeveria është përqendruar në trajtimin e barrierave të të gjitha aspekteve, andaj Pako e Energjisë si dhe projekte të tjera të financuara nga BE, Qeveria e Republikës, apo institucione tjera ndërkombëtare janë mirë të planifikuara dhe po tregojnë rezultate pozitive”- thuhet tutje në komunikatë.

Në fund të këtij takimi ZKM bënë të ditur se është theksuar se procesi i integrimit evropian duhet të jetë i bazuar në meritokraci dhe të ofrojë instrumentet e barabarta për të gjitha shtetet, me qëllim avancimin e agjendës evropiane e përmbushjen e reformave.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, sot ka udhëtuar drejt Brukselit.

Ai do të prezantojë perspektivën europiane të Kosovës dhe situatën aktuale në “European Policy Center”, në diskutimin me temë “Rruga e Kosovës drejt BE-së: Si ta tejkalojmë ngërçin?”.

 

Zëvendëskryeministri Bislimi udhëton për në Bruksel