Zëvendëskryeministri Bislimi udhëton për në Bruksel

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar drejt Brukselit.

Sipas njoftimit, ai sot do të prezantojë perspektivën europiane të Kosovës dhe situatën aktuale në “European Policy Center”, në diskutimin me temë “Rruga e Kosovës drejt BE-së: Si ta tejkalojmë ngërçin?”.

Zëvendëskryeministri Bislimi do të takohet dhe me kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Belgjikës, Els Van Hoof dhe Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Po ashtu, gjatë qëndrimit në Bruksel, Bislimi do të mbajë dhe një diskutim me PSC (Political and Security Committee) ku do të marrin pjesë ambasadorë, përfaqësues të misioneve diplomatike dhe nga BE-ja.