Ilustrim

Bie çmimi i naftës në bursën ndërkombëtare, pritet reflektimi i çmimeve në Kosovë

Tregu i naftës është destabilizuar si pasojë e luftës në Ukrainë. Si pasojë e kësaj edhe çmimi i naftës ka shënuar rritje rekorde ditëve të fundit në Kosovë.

Por sot, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani ka thënë se ka rënie të çmimit të naftës në bursën ndërkombëtare.

Ai për KALLXO.com ka konfirmuar se pas pesë muajve ka pasur ulje të çmimit të naftës në bursën ndërkombëtare.

“Lajm i mirë është për qytetarët se pas 5 muajve ne bursë kemi ulje te çmimit për 150 dollarë në ton. Çka do të thotë se çmimet janë ulur për 10 centë”, ka njoftuar Berjani.

Ai tha se beson se tregu kosovar do të reflektojë me ulje të çmimeve.

“Besoj qe tregu kosovar ka reflektu me ulje te çmimeve”, ka deklaruar Berjani për KALLXO.com.

Dje KALLXO.com raportoi se çmimet e naftës silleshin prej 1.67 euro deri në 1.75 euro, ndërsa sot çmimi më i ulët është 1.65 euro dhe më i larti 1.82 euro.

Çmimi i naftës, 10.03.2022. Foto: KALLXO.com
Çmimi i naftës, 10.03.2022. Foto: KALLXO.com
Çmimi i naftës, 10.03.2022. Foto: KALLXO.com
Çmimi i naftës, 10.03.2022. Foto: KALLXO.com

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për rritjen e çmimeve të naftës. Më 6 mars 2022, në pikat e karburanteve çmimi i naftës ka qenë më së shumti 1.58 euro.

Ndërkaq, me 5 mars 2022 çmimet e naftës çmimet ishin 1.54 deri në 1.58 euro, me 4 mars 2022 çmimi i naftës sillej prej 1.47 deri në 1.49 euro, kurse me 3 mars 2022 çmimet lëviznin nga 1.45 e deri në 1.49 euro.

Çmimi mesatar i naftës në Evropë sipas ‘Autotraveler’ është 1.55 euro. Çmimi është rritur për 0.13 centë krahasuar me muajin e kaluar.

Sipas Autotraveler, në një të katërtën e vendeve evropiane, nafta është më e shtrenjtë se benzina.

“Në disa vende, është shumë më lirë se benzina. Për shembull, në Holandë, diferenca në çmim midis naftës dhe benzinës arrin deri në 20-25%”, njofton Autotraveler.

Në Maqedoninë të Veriut çmimi i naftës rreth 1.39 euro, ndërsa në Serbi çmimi i naftës është 1.52 euro. Në Shqipëri është raportuar çmimi më i lartë, mbi 2 euro.

Çmimi i naftës në Gjermani është 2.29 euro, në Holandë 2.28, në Francë 2.07 euro, në Zvicër 1.94 euro, në Hungari 1.21 euro, në Britani të Madhe 1.86 euro.

Trendet e çmimeve mesatare të karburanteve në Evropë gjatë vitit të kaluar, sipas ‘Autotraveler’ çmimi më i ulët i naftës është shënuar në maj të 2021-tës kur çmimi ka qenë 0.99 centë.

Trendi i çmimeve të naftës brenda një viti/ Foto: Autotraveler