Rritje rekorde e çmimit të naftës, për tri ditë u rrit më shumë se 10 centë

Çmimet e naftës në pikat e karburanteve në Kosovë kanë shënuar rritje rekorde në ditët e fundit.

Përderisa me 6 mars 2022, në pikat e karburanteve çmimi i naftës ka qenë më së shumti 1.58 euro, brenda tri ditëve, çmimi është rritur për më shumë se 10 centë.

KALLXO.com para tri ditëve raportoi se çmimet e naftës silleshin prej 1.54 euro deri në 1.58 euro, ndërsa sot çmimi është ngritur në 1.67 euro deri në 1.75 euro.

Ndërkaq, me 5 mars 2022 çmimet e naftës çmimet ishin 1.54 deri në 1.58 euro, me 4 mars 2022 çmimi i naftës sillej prej 1.47 deri në 1.49 euro, kurse me 3 mars 2022 çmimet lëviznin nga 1.45 e deri në 1.49 euro.

Ndonëse Shoqata e Naftëtarëve kishte paralajmëruar se çmimi i naftës mund të shkojë deri në 1.60 euro, kjo vlerë tashmë është tejkaluar.

Për këtë rritje të çmimit të karburantit, KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e kësaj shoqate, Fadil Berjani, i cili ka thënë se trendet e ngritjes nuk kanë të ndalur dhe se nuk po ndodh vetëm në Kosovë por, edhe në Evropë.

“Sa i përket informacioneve lidhur me rritjen, trendi po tregon se nuk ka të ndalur. Sot derivatet në Kosovë po shiten nga 1.65 euro deri në 1.70 euro. Çmimi furnizues sot i riu del 1.78 euro. Ky është një treg i egër, lufta e ka bërë të vetën dhe nuk po ndodh (rritja) veç në Kosovë por edhe në Evropë. Çmimet për qytetarët tanë janë të larta, por kjo nuk varet nga Shoqata e Naftarëve. Varet nga bursa, si ka rënë çmimi i benzinës në bursë, ka rënë edhe në Kosovë, benzina është më e lirë se diseli për 10 centë”, ka sqaruar Berjani.

Ai theksoi se çështje me rëndësi është se a do të ketë derivate duke shtuar se është krizë edhe në regjion.

Berjani gjithashtu tha se rezervat shtetërore të naftës mund të jenë maksimi për dhjetë ditë.

“Rezerva shtetërore të cilat i kemi munden me qenë maksimum për dhjetë ditë. Me një vendim që e ka lëshuar Qeveria e Kosovës, që në çdo pikë karburanti duhet të ketë 5%, ato janë të zbatueshme por, sa janë të mjaftueshme këtu është qëllimi. Por nëse vijnë ditë më të vështira se nuk jemi në ditët më të vështira maksimale por, shpresojmë ta tejkalojmë këtë krizë pa probleme”, ka deklaruar Berjani.

Këto janë çmimet e naftës sot në disa prej kompanive që shesin karburante në vend:

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës para disa ditësh mori vendim që të mos lejojë më shumë se 6% fitim për shitësit me pakicë dhe 4% për shitësit me shumicë.

Ky vendim thuhej se ishte marrë me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të ç’rregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës.

Mirëpo, një vendim i tillë ishte kundërshtuar nga Shoqata e Naftëtarëve.

Çmimet e naftës kanë shënuar rritje të hovshme brenda natës edhe në Shqipëri, duke arritur të mërkurën në nivel rekord prej 260 lekësh (2.03 euro) për litër nga 230 lekë për litër (1.80 euro) një ditë më herët.

Tregu i destabilizuar i naftës është pasojë direkte e nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt.