Rritja e çmimit të karburanteve, çfarë thonë qytetarët?

Çmimi i karburanteve ka shënuar rekord dje dhe sot në Kosovë. E një gjë e tillë për qytetarët po del të jetë e papërballueshme.

Çmimi i derivateve në pika të ndryshme të karburantit po lëviz nga 1.45 e deri në 1.49 euro.

Qytetarët kanë shpresa te Qeveria e Kosovës. Të njëjtit thonë se duhet të merren masa që të mos lejohet ngritja e çmimeve.

Sipas qytetarit Safet Hasani, këto masa duhet të merren pasi klasa punëtore nuk mund të përballojnë një ngritje të tillë të çmimeve.

“Qeveria duhet me ndërmarrë masa për me i stimulu që mos me i lanë me i ngritë çmimet, me rezerva me ato që i kanë këta përndryshe nuk mundet me i përballu, klasa punëtore nuk mundet me përballu”, ka thënë Hasani për KALLXO.com.

Në anën tjetër, Tefik Gerbeshi, taksist në Prishtinë, mendon se rritja çmimit të derivateve ka ardhur si pasojë e luftës në Ukrainë.

Ai ka thënë se nuk ka llogari që të dalë me veturë as për t’i kryer punët e veta.

“Prej që ka krisë lufta sidomos atje në Ukrainë atje, është t`u shku nafta katastrofë. Mos me mujtë njeri me dhez kerrin as për nevoja të veta se jo me dalë për me punu taksi apo me e mbajtë familjen a diçka se nuk ia vlen, dy euro gati një litër naftë”, është shprehur Gerbeshi për KALLXO.com.

Ai ka treguar se për shkak  të rritjes së çmimit të karburanteve kanë filluar që t’i rrisin çmimet edhe për pasagjerët.

“Shumë keq, shumë keq për neve edhe për pasagjerët. Tash vijnë pasagjerët para dy-tri dite i kemi çu me tri euro për shembull te një ambasadë a te ministria a diku, tash kur po i thojmë pesë euro po thonë ‘o kuku, qysh!’”, tha ai.

Ndërsa, zgjidhje për të mos shpenzuar para për karburant ka gjetur një qytetar tjetër.

Ai po paguan biletë mujore për udhëtime me autobusët e Trafikut Urban dhe të njëjtën po e shfrytëzon për të lëvizur në qytet gjatë ditës.

“Për mua shtrenjtohet, nuk shtrenjtohet nuk çon peshë, për mua posaçërisht se unë një ditë e marr kerrin kryj punë çka kam me kry e për gjithë e nxjerr mujoren e Trafikut Urban rregullisht, edhe djalit njashtu se unë në ditë më së paku kur jam shku në punë, një muaj me makinë i kam harxhu 160 euro”, ka thënë Florim Zymberi për KALLXO.com.

Për të shikuar videon e plotë klikoni KËTU.

Çmimet më të ulëta të karburanteve Kosova ka pasur në kohën e pandemisë në vitin 2020. Asokohe, çmimi për një litër naftë kushtonte 68 centë.

Qeveria e Kosovës më 1 mars ka marrë vendim që te shitësit me shumicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 4% të çmimit të shitjes, ndërsa te shitësit me pakicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 6% të çmimit të shitjes.

Në një konferencë për media, Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, ka thënë se e kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Berjani tha se pikat e karburantit nuk mund të mbijetojnë.

“Sa i përket këtij vendimi të Qeverisë unë si kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve nuk jam informuar dhe nuk kam pasur takim lidhur me këtë pa marrë parasysh që kemi pasur takime me ministren e Tregtisë, po lidhur me këtë vendim unë kam dëgjuar mbrëmë nga kolegët e mi të cilët kanë thënë se është një vendim i cili i dëmton bizneset tona”, tha ai.

BBC raportoi dje se çmimet e naftës janë rritur pavarësisht angazhimit për masa të reja, që synonin qetësimin e tregjeve pas pushtimit të Ukrainës.

Nafta e papërpunuar Brent, e njohur si standardi ndërkombëtar për çmimet e naftës, ka arritur në 113 dollarë për fuçi, duke shënuar nivelin më të lartë që nga qershori i vitit 2014.

Çmimi i naftës u rrit edhe pasi anëtarët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, ranë dakord të lëshonin 60 milionë fuçi naftë nga rezervat e emergjencës. Rusia është një nga prodhuesit më të mëdhenj të energjisë në botë.

Si rezultat, shqetësimet për pushtimin e Ukrainës nga Rusia kanë shkaktuar shqetësime tek investitorët se furnizimet me naftë ose gaz mund të preken.

Të hënën, RAC tha se çmimi mesatar i benzinës ishte rritur në një rekord prej 1.51 funtësh  për litër të dielën, ndërsa nafta u rrit në 1.55 funta.

Kosova me rekord në çmimin e lartë të naftës