Ilustrim

Vazhdon rritja e çmimit të naftës, për një ditë u rrit për 3 cent

Çmimi i naftës po vazhdon të lëvizë nga dita në ditë në pompat e derivateve nëpër Kosovë.

Ekipi i KALLXO.com ka vizuar pika të karburanteve të enjten dhe të premten.

Në të njëjtat kompani të derivateve, dallimi në çmim nga dje dhe sot ka pësuar ndryshime deri në 3 cent më shumë për litër.

Momentalisht, çmimi i naftës lëvizë nga 1.47 deri në 1.49 euro, mirëpo nga Shoqata e Naftëtarëve kanë paralajmëruar se çmimi i naftës mund të shkojë deri në 1.60 euro.

Kështu kishte thënë për KALLXO.com, Fadil Berjani, kryetari i kësaj shoqate.

Sipas tij, lufta në mes Ukrainës dhe Rusisë ka ndikuar në rritjen e çmimit të derivateve në botë, e kjo ka prekur edhe Kosovën.

Berjani kishte thënë se vetëm më 24 shkurt ka pasur rritje 60 dollarë për ton, duke shtuar se litri mund të arrijë deri në 1 euro e 60 centë.

“Sipas situatës dhe trendit në tërë botën çmimi më i lartë mundet me shku deri në 1 euro e 60 centë”, kishte theksuar ai.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës para disa ditësh mori vendim që të mos lejojë më shumë se 6% fitim për shitësit me pakicë dhe 4% për shitësit me shumicë.

Ky vendim thuhej se ishte marr me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të ç’rregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës.

Mirëpo, një vendim i tillë ishte kundërshtuar nga Shoqata e Naftëtarëve.
Berjani gjatë një konference për media kishte thënë se për këtë vendim nuk është informuar dhe nuk ka pasur takime lidhur me këtë çështje.

“Sa i përket këtij vendimi të qeverisë unë si kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve nuk jam informuar dhe nuk kam pas takim lidhur me këtë pa marr parasysh që kemi pas takime me ministren e Tregtisë, po lidhur me këtë vendim unë kam dëgjuar mbrëmë nga kolegët e mi të cilët kanë thënë se është një vendim i cili i dëmton bizneset tona”, pati thënë ai.

Berjani kishte treguar se e kundërshtojnë këtë vendim, pasi sipas tij pikat e karburantit nuk mund të mbijetojnë.

“Unë po çuditem se si është e mundur që kryeministri të bindet që me 6 për qind të mundet një pikë karburanti të mbijetoj. Importi është me 4 për qind, unë si kryetar i shoqatës e kundërshtoj këtë vendim, ky vendim është shqetësues, i dëmton bizneset dhe i falimenton”, pati theksuar ai.

Këtu mund ta shihni videon e realizuar nga ekipi i KALLXO.com për ndryshimin e çmimit të naftës, nga e enjta në të premtën.

Rritja e çmimit të karburanteve, çfarë thonë qytetarët?