Ndërprerja e energjisë elektrike Foto: KALLXO.com Foto: KALLXO.com

Bie më shumë se dyfish çmimi i energjisë në bursën ndërkombëtare

Çmimi i energjisë elektrike ka rënë më shumë se dyfish krahasuar me javën e kaluar. Sot një megavat mund të blihet me 216 euro për dallim nga java e kaluar kur një megavat është blerë për 475 euro.

Sipas bursës hungareze të energjisë, HUPX Hungarian Spot Index, çmimi i energjisë në javën e fundit ka filluar të bie pothuajse dyfish.

Në javën e fundit, çmimi më i lartë i energjisë, sipas kësaj burse, ka qenë me datën 22 dhjetor. Në këtë ditë çmimi për megavat ka qenë 465 euro e 50 centë.

Më 27 dhjetor, ka qenë çmimi më i ulët i energjisë elektrike në bursën ndërkombëtare për javën nga 22 deri më 28 dhjetor, një megavat ka kushtuar 196 euro e 59 centë.

Qeveria e Kosovës ka shpallur 60 ditë gjendje emergjente për furnizim me energji.

Sipas vendimit të qeverisë, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: Vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët, dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Në vendim më tutje thuhet se Qeveria mund të fillojë me zbatimin e masave menjëherë por se vendimi duhet të shqyrtohet për miratim edhe nga Kuvendi i Kosovës në afat prej shtatë ditësh.

Kuvendi ka të drejtën e refuzimit të masave dhe në këtë rast qeveria është e obliguar t’i ndërpres ato.

Përmes këtij vendimi, qeveria ka formuar një Komitet Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë që ka për qëllim identifikimin dhe paraqitjen e rekomandimeve për Ministren e Ekonomisë së Kosovës.

Kosova është duke u përballur prej ditësh me krizë energjetike.

Për shkak të kësaj krize energjetike qytetarët, nga 22 dhjetori përballen me reduktime të energjisë elektrike.

Fatura e energjisë elektrike në Kosovë mund të shtrenjtohet për 7 për qind në muajt e ardhshëm. Një rritje të tillë e ka kërkuar Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).

Që nga 14 dhjetori, Njësia B2 e termocentralit “Kosova B” është jashtë funksionit. KEK-u aktualisht është duke prodhuar me tri njësi prodhuese të termocentralit “Kosova A” (A3, A4 dhe A5, me kapacitet neto prej rreth 400 MW/h energji elektrike) dhe me njësinë B-1 (me kapacitet neto prej rreth 255 MW/h, energji elektrike).

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nënshkruar një kontratë në vlerë 248,650 mijë euro për angazhimin e ekspertëve për inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara nga avaria në turbinën e shtypjes së ultë në Njësinë B2 të Termocentralit B.

Fituese e kontratës është “GE Steam Power Service France Representative Office in Kosovo” dega në Kosovë, me të cilën është nënshkruar kontrata përmes procedurës së negocuar më 23 dhjetor.