Ilustrim

Vazhdon rritja e çmimit të naftës, për tri ditë u rrit mbi 10 centë

Çmimi i naftës po vazhdon të lëvizë nga dita në ditë në pompat e derivateve nëpër Kosovë.

Ekipi i KALLXO.com ka vizuar pika të karburanteve të enjten dhe të premten.

Në të njëjtat kompani të derivateve, dallimi në çmim nga dje dhe sot ka pësuar ndryshime të shumta për litër.

Momentalisht, çmimi i naftës lëvizë nga 1.54 deri në 1.58 euro, mirëpo nga Shoqata e Naftëtarëve kanë paralajmëruar se çmimi i naftës mund të shkojë deri në 1.60 euro.

Kështu kishte thënë për KALLXO.com, Fadil Berjani, kryetari i kësaj shoqate.

Kështu kishte thënë për KALLXO.com, Fadil Berjani, kryetari i kësaj shoqate.

Sipas tij, lufta në mes Ukrainës dhe Rusisë ka ndikuar në rritjen e çmimit të derivateve në botë, e kjo ka prekur edhe Kosovën.

Berjani kishte thënë se vetëm më 24 shkurt ka pasur rritje 60 dollarë për ton, duke shtuar se litri mund të arrijë deri në 1 euro e 60 centë.

“Sipas situatës dhe trendit në tërë botën çmimi më i lartë mundet me shku deri në 1 euro e 60 centë”, kishte theksuar ai.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës para disa ditësh mori vendim që të mos lejojë më shumë se 6% fitim për shitësit me pakicë dhe 4% për shitësit me shumicë.

Ky vendim thuhej se ishte marr me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të ç’rregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës.

Mirëpo, një vendim i tillë ishte kundërshtuar nga Shoqata e Naftëtarëve.
Berjani gjatë një konference për media kishte thënë se për këtë vendim nuk është informuar dhe nuk ka pasur takime lidhur me këtë çështje.

“Sa i përket këtij vendimi të qeverisë unë si kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve nuk jam informuar dhe nuk kam pas takim lidhur me këtë pa marr parasysh që kemi pas takime me ministren e Tregtisë, po lidhur me këtë vendim unë kam dëgjuar mbrëmë nga kolegët e mi të cilët kanë thënë se është një vendim i cili i dëmton bizneset tona”, pati thënë ai.

Berjani kishte treguar se e kundërshtojnë këtë vendim, pasi sipas tij pikat e karburantit nuk mund të mbijetojnë.

“Unë po çuditem se si është e mundur që kryeministri të bindet që me 6 për qind të mundet një pikë karburanti të mbijetoj. Importi është me 4 për qind, unë si kryetar i shoqatës e kundërshtoj këtë vendim, ky vendim është shqetësues, i dëmton bizneset dhe i falimenton”, pati theksuar ai.