Bie çmimi i naftës në bursën ndërkombëtare, në Kosovë gjendja mbetet e njëjtë për një javë

Lufta Ukrainë-Rusi ka ndikuar edhe në destabilizimin e çmimit të naftës. Si pasojë e kësaj lufte, nga rritja e çmimit të naftës janë prekur edhe qytetarët e Kosovës.

Ndonëse, sipas Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, ky çmim ka filluar që të ulet prapë në Kosovë që nga java e kaluar gjendja është e njëjtë.

Kështu ka thënë për KALLXO.com kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.

“Gjendja aktuale është e njëjtë qe një javë”, është shprehur ai.

Tutje Berjani ka shtuar se çmimi i naftës në Kosovë varet nga bursa ndërkombëtare.

“Nëse vazhdon me u rrit ose zbrit në bursën ndërkombëtare është normale me lëviz edhe në Kosovë”, shtoi Berjani.

Ekipi i KALLXO.com ka vizituar disa pika të karburanteve në vend ku ka parë se çmimi i naftës lëvizë deri në 1.49 euro.

Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com

Në anën tjetër, sipas Autotraveler, mesatarja e çmimit të naftës në Evropë është  1.55 euro.

Në të dhënat e publikuara në faqen zyrtare të Autotraveler thuhet se rritja e mesatares së çmimit të këtij derivati është rritur për 9.15 për qind.

Gjersa në Kosovë çmimi i naftës lëvizë për një cent, ku në disa pika të karburanteve është 1.48 euro e në disa të tjera 1.49 euro, në vendet fqinje të Kosovës, sipas Autotraveler, mesatarja e çmimit të naftës është në Serbi 1.52 euro, në Mal të Zi 1.45 euro, në Maqedoninë e Veriut 1.39 euro dhe në Shqipëri 1.14 euro.

Tutje, Autotraveler njofton se mesatarja e çmimit më të lartë në Evropë është në shtetin e Suedisë, 2.50 euro, ndërsa më i ulët është në Rusi për vetëm 0.37 cent.

Në vend tjera mesatarja e çmimit thuhet se është kjo; Gjermania 2.29 euro, Franca 2.07 euro, Kroacia 1.66 euro, Turqia 1.36 euro dhe Ukraina 1.06 euro.

Sipas Autotraveler, mesatarja më e ulët e naftës në Evropë në tri vitet e fundit është shënuar më 11 maj 2020, vetëm 0.99 cent, ndërsa ajo më e larta më 9 mars 2022, 1.55 euro.

Përderisa, edhe sipas Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), më 9 marsi është shënuar kulmi i mesatares së çmimit të lartë të naftës.

Vendet eksportuese të naftës, më 9 mars për një ton naftë fitonin mesatarisht 128 dollar, mirëpo ky çmim deri dje, më 21 mars ka rënë për 14 dollar.

Pra, sipas OPEC gjatë ditës së djeshme, një ton naftë është shitur me çmimin mesatar prej 114 dollarë.

Mesatarja më e lartë e çmimit të naftës
Burimi: Autotraveler
Mesatarja më e lartë e çmimit për një ton naftë
Burimi: OPEC

Bie çmimi i naftës në bursën ndërkombëtare, pritet reflektimi i çmimeve në Kosovë