Besian Mustafa: Mocioni për rrëzimin e Qeverisë Kurti vazhdon

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, i cili vjen nga radhët e LDK-së, ka thënë se mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë, në Kuvend do të vazhdojë sipas procedurave.

Këtë deklaratë Mustafa e dha në një konferencë për media, të hënën në Prishtinë.

“Këto janë vendime politike që janë marr në Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mocionin vazhdon në Kuvendin e Kosovës, ku përgjegjës janë udhëheqësia e Kuvendit”, tha Mustafa.

Grupi Parlamnetar i LDK-së të premten ka dorëzuar më Kuvendin e Kosovës mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Sipas procedurave të legjislativit, ky mocion duhet të shqyrtohet në seancë, jo më vonë se deri të mërkurën e kësaj jave.

Në anën tjetër, nga pozita kanë thënë se kjo seancë mund të mos mbahet për shkak të gjendjes nga coronavirusi dhe rekomandimeve të institucioneve për distancë sociale.

Përderisa Kosova po përballet me pandeminë botërore të virusit Covid–19, vendi tashmë ka hyrë në një krizë politike që shpërtheu me paralajmërimin për rrëzimin e qeverisë përmes një mocioni të mosbesimit nga partneri qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shkarkimi i Agim Veliut – njëri prej zyrtarëve më me ndikim në LDK, nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, nga ana e kryeministrit Albin Kurti, pasoi me vendimin e Kryesisë së LDK-së që të mos qëndrojë më në qeverisje me LVV-në.