Bërnabiq për zgjedhjet në Veri: Kjo është dita kur geto e fundit evropiane legalizohet dhe legjitimohet

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka thënë se mbajta e sotme e zgjedhjeve në veri është legalizim dhe legjitimim i getos së fundit evropiane.

“Kujtoni këtë ditë. Kjo është dita kur geto e fundit evropiane legalizohet dhe legjitimohet. Këto janë imazhet që me të vërtetë përshkruajnë “sundimin e ligjit” dhe kuptimin e vërtetë të “zgjedhjeve demokratike” në Kosovë dhe Metohi të mbështetura nga BE-ja dhe QUINT”- ka shkruar ajo në twitter.

Bërbaniq ka ironizuar me mbajtjen e zgjedhjeve në kontejner, duke thënë se kjo është Evropa, në shekullin e 21-të.

“Kushtojini vëmendje OSBE dhe sigurohuni që t’ua rekomandoni këtë të tjerëve si shembullin më të mirë: mbajtjen e zgjedhjeve në kontejnerë të përkohshëm nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të forcave të armatosura. Zgjedhjet – të lira dhe të ndershme, me forca të armatosura dhe mjete të blinduara”- ka shtuar tutje ajo.

Sipas saj mbajtja e zgjedhjeve në këtë mënyrë do të ‘bëhet një normë e re demokratike, e prezantuar dhe e mbështetur nga krijuesit e Republikës së Kosovës, duke aluduar tek OSBE, ambasada amerikane dhe Bashkimi Evropian.

“Në fund të këtij ‘spektakli’, këto lloj zgjedhjesh, në këto kushte, konsiderohen normale nga hipokritët që ushqenin atë lloj “republike”- ka shkruar tutje ajo.

Sot në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, po mbahen zgjedhjet lokale.

Lista Serbe si partia më e madhe e serbëve ka vendosur t`i bojkotoj këto zgjedhje.

Deri në orën 11:00 sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë votuar 313 votues, dhe procesi ka kaluar pa asnjë incident.

Lajm në Zhvillim – Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës