Bërlloku në oborrin e QKUK-së, SHSKUK fajëson kompaninë "Pastrimi"

Kontejnerë të stërmbushur me mbeturina, bidonë të zbrazur të ujit, kuti të ushqimeve dhe pjesë të tualetit pas kontejnerëve janë fotografuar në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Në foto shihet se disa prej mbeturinave janë shpërndarë në afërsi të këtyre kontejnerëve.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Elvir Azizi, tha se përgjegjës për pastrimin e oborrit të QKUK-së është Ndërmarrja Publike “Pastrimi”.

Azizi tha se janë të pakënaqur me shërbimin e ofruar kundrejt pagesës që e bëjnë.

“Në dhjetor kemi pasë takim me drejtorin e “Pastrimit”. Na kanë premtuar që këtë muaj do ta dyfishojnë numrin e kontejnerëve dhe se do të na japin një kamionetë si kujdestari” – tha Azizi për KALLXO.com.

Ai shtoi se nëse kjo gjendje vazhdon do ta ndërpresin bashkëpunimin.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të Kompanisë Regjionale “Pastrimi” por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.