Bekë Berisha kritikon Qeverinë për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka përmendur disa çështje që sipas tij duhet të rregullohen për të përmirësuar jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Ai ka kritikuar Qeverinë Kurti lidhur me shtesat e policëve për rrezikshmërinë.
Sipas tij, ato janë të rregulluara me ligj dhe duhet të iu paguhen.
“Kjo situatë e Policisë ishte ndreq sikur të kishim trajtu mirë me Ligjin e pagave. Orët shtesë janë pagu përpara. Prej që është kjo qeveri këto shtesa janë ndal, atëherë ka qenë e rregullume kështu. Duhet me gjet forma altrenative. Rrezikshmëria është obligim, është me ligj. Duhet me u pagu. Kemi kategori qe janë invalidët në Polici. Pensionimi i parakohshëm do të kish ndihmu Policinë dhe kish hap vende të reja te punës në Polici”- ka thënë Berisha.
Ndërsa, ka përmendur edhe sigurimin shëndetësor duke thënë se është trup që nuk është bë deri tash.
Deputeti i Berisha po ashtu ka kritikuar mungesën e Lëvizjes Vetëvendosje në seancë.
“Pse pozita nuk janë këtu sot? Pse kryeministri dhe ministrat nuk i përgjigjen pyetjeve parlamentare? Pse nuk përkrahet policia as me një rezolutë, e bile e bojkotojnë? Sepse mendojnë që edhe rrejnë dhe mendojnë që e marrin votën prapë. Këta duan vetëm pushtet. Këta kanë me bo diçka për policinë, por e kanë kasavetin që mos të vijnë këtu e të ju mbetet atyre”- tha Berisha.
Kuvendi i Kosovës ka filluar punimet e seancës së jashtëzakonshme për shqyrtimin e propozim-rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Në sallë të pranishëm janë deputetët e opozitës por jo edhe ata të pozitës.
Përmes rezolutës, PDK me mbështetje edhe nga opozita po kërkon nga Qeveria që të bëj ndarjen e mjeteve të nevojshme financiare për pagesën e shtesës së rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës.
Këto janë pikat e rezolutës së propozuar nga PDK-ja:
- OBLIGON Qeverinë e Republikës së Kosovës që brenda afatit prej 15 ditë nga miratimi i kësaj rezolute, të bëjë ndarjen e mjeteve të nevojshme financiare për pagesën e shtesës së rrezikshmërise per Policinë e Kosovës dhe atë, në mënyre retroaktive nga dita e hyrjes ne fuqi të Ligit 08/L-196 per Pagat në Sektorin Publik (për secilin muai).
- OBLIGON Qeverinë e Republikës së Kosovës që të propozojë buxhetin e nevojshëm – për vitin e ri fiskal 2024, për mbulimin e pagesës së sigurimit shëndetësor për të gjithë zyrtarët policorë te Republikës se Kosovës, nga data 1 janar 2024.
- OBLIGON Qeverinë e Republikës së Kosovës që brenda afatit 60 ditor nga miratimi i kësaj rezolute, të marrë nismën për hartimin, propozimin dhe miratimin e Projektligjit për Pensionim të Parakohshëm te zyrtarëve policorë të Policisë se Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit.
- ZOTOHET që shqyrtimin parlamentar të projektligjit nga pika 3 e kësaj rezolute, ta bëjë në procedurë te përshpejtuar në pajtim me rregullat e punës së Kuvendit.