Foto: Hajrulla Çeku / facebook

BE: Projekti i financuar nga ne çoi në një zbulim të jashtëzakonshëm në parkun arkeologjik Ulpiana

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka theksuar se projekti i financuar nga ana e tyre për gërmim në parkun arkeologjik Ulpiana çoi në një zbulim të jashtëzakonshëm arkeologjik.

Një ekip ekspertësh ndërkombëtarë dhe vendas, të udhëhequr nga profesori Christophe  Goddard, bëri një zbulim në vendndodhjen arkeologjike të Ulpianës: dedikimin nga perandori Justinian (527-565 pas Krishtit) dhe gruas së tij Theodora të një “urbs Dardaniae”, një nga shumë pak dedikime latine të çiftit perandorak në epokën e vonë romake.

Zyra e BE në komunikatë thekson se zbulimi i këtij mozaiku si dhe zbulimi i një bazilike episkopale në vitin 2022, janë rezultatet konkrete të një projekti të financuar nga BE-ja të titulluar “Misioni Arkeologjik Evropian në Kosovë: nga Ulpiana në Iustiniana Secunda”, i cili pritet të përfundojë në dhjetor 2024.

“Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, vizitoi dje parkun arkeologjik Ulpiana në komunën e Graçanicës, ku pa nga afër ndikimin pozitiv të kontributit të BE-së” – thuhet më tej në komunikatë.

“Zbulime të tilla ofrojnë një perspektivë unike për kulturën dhe historinë njerëzore dhe ofrojnë njohuri të gjera për strukturat antike të parkut arkeologjik Ulpiana. Jam shumë krenar që ky projekt i financuar nga BE-ja çoi në identifikimin e një pjese të rezervatit të pasur arkeologjik të Ulpianës. Misioni Arkeologjik Evropian në Kosovë do të vazhdojë punën e tij të zellshme për të ndihmuar Kosovën të zbulojë, trajtojë dhe ruajë trashëgiminë e saj arkeologjike” – tha Szunyog.

Projekti me vlerë 1 milion euro i titulluar “Misioni Arkeologjik Evropian në Kosovë: nga Ulpiana në Iustiniana Secunda” u lansua në dhjetor 2021 dhe pritet të përfundojë në dhjetor 2024.

Duke u bazuar në rezultatet e studimeve të mëparshme gjeofizike të financuara nga BE në zonën e madhe të Ulpianës, projekti synon të kontribuojë në kërkimet dhe gërmimet e mëtejshme arkeologjike në parkun arkeologjik të Ulpianës, si dhe në ruajtjen e zbulimeve arkeologjike.

Gjithashtu parashihet sigurimi i pajisjeve moderne arkeologjike, të cilat do t’u transferohen institucioneve të Kosovës dhe do t’u shërbejnë arkeologëve kosovarë pas përfundimit të projektit.

BE-ja ka mbështetur mbrojtjen dhe ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë që nga viti 2000 dhe deri më tani ka investuar më shumë se 14.7 milionë euro në këtë fushë.