BE ndan 14.2 miliardë euro për shtatë shtetet e rajonit ballkanik 

Parlamenti Evropian të mërkurën ia dha dritën e gjelbër ndarjes së fondeve për gjeneratën e re të shteteve në zhvillim në mënyrë që të përgatiten më mirë për përmbushjen e obligimeve për anëtarësimin në BE në të ardhmen, njofton Parlamenti Evropian.

Fondi me shumë prej 14.2 miliardë eurosh, për t’u ndarë nga 2021 deri më 2027, do t’i mbështesë reformat drejt integrimit evropian të cilat ndërmerren nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia.

Qëllimi kryesor i këtij fondi është mbështetja e këtyre shteteve përderisa ato i përvetësojnë dhe implementojnë reformat politike, institucionale, ligjore, administrative, shoqërore dhe ekonomike të cilat përputhen me vlerat dhe standardet e Bashkimit Evropian.

Ky fond mund të ndryshohet ose të pezullohet në rast se nuk respektohen vlerat thelbësore si demokracia, të drejtat e njeriut dhe ligji. Rrjedhimisht, marrja e kësaj mbështetjeje kushtëzohet nga respektimi i këtyre vlerave.

Plani për ndarjen e fondeve fokusohet në qëllimet e shteteve përfituese për mbrojtjen e klimës dhe ambientit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe barazinë gjinore. Gjithashtu kjo ndarje do të bëhet në koordinim të ngushtë me donatorët, organizatat e shoqërisë civile nëpër shtetet përfituese dhe autoritetet vendore dhe rajonale, shkruan në njoftimin e PE-së, i publikuar i plotë në ueb faqen e PE-së.