array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=2"
  }
}

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tregon çka nënkupton termi për persona të zhdukur i përdorur në marrëveshjen e Brukselit

Deklarata

Termi i përdorur për personat e zhdukur me dhunë në Deklaratën për personat e zhdukur

Vlerësimi

Pjesërisht e vërtetë

Deklarata për personat e zhdukur, e cila është nënshkruar më 2 maj 2023, mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel,  i referohet termit “forcibly  disappeared”, të përdorur nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) për Personat e Zhdukur. Sipas KNKK-së “terminologjia që përdoret në KNKK për personat e zhdukur është më e gjerë se nocioni i zhdukjes me forcë, i cili në të drejtën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut është përkufizuar si: Privimi nga liria nga autoritetet shtetërore ose nga personat ose grupet e personave që veprojnë me përfshirjen e shtetit, që pasohet nga ndonjë refuzim për ta pranuar privimin nga liria ose nga fshehja e fatit apo vendndodhjes së personit të zhdukur”.

Artikulli

Miratimi i Deklaratës për personat e zhdukur më 2 maj 2023 në Bruksel, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka nxitur diskutime në Kosovë mbi termin e përdorur për personat e zhdukur me dhunë.

Deklarata e cila parasheh gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur gjatë periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000, i referohet termit “forcibly  disappeared”, të përdorur nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) për Personat e Zhdukur. 

Por, në Kosovë është thënë se është dashur të përdoret termi “Enforced Disapperance”, që përdoret nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Termi “forcibly disappeared” sipas KNKK-së

KALLXO.com ka kontaktuar me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për t’i pyetur në lidhje me termin e përdorur në Deklaratën për personat e zhdukur.

Zëdhënësja e KNKK-së, Crystal Ashley Wells tha se terminologjia e personave të zhdukur e përdorur nga KNKK është më e gjerë se nocioni i zhdukjes me forcë.

“Terminologjia e personave të zhdukur e përdorur nga KNKK është më e gjerë se nocioni i zhdukjes me forcë” – shprehet Crystal Ashley Wells, zëdhënëse e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq teksa interpreton termin e përdorur në deklaratën e miratuar nga palët në Bruksel.

Wells thotë se nocioni i ‘personave të zhdukur’, edhe pse nuk është i përcaktuar në të drejtën ndërkombëtare, përmendet në rregulla të ndryshme të së Drejtës Humanitare Ndërkombëtare (DNH) duke iu referuar gjerësisht personave të raportuar të zhdukur për arsye që lidhen me një konflikt të armatosur, në të cilin përfshihen ata të zhdukur me forcë.

Sipas zëdhënëses së KNKK-së, bazuar në të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare, ish-palët në konflikt kanë detyrimin të japin informacion mbi fatin dhe vendndodhjen e personave që janë zhdukur në territoret nën kontrollin e tyre, duke shtuar se familjet kanë të drejtë të patjetërsueshme të dinë fatin e të dashurve të tyre të zhdukur.

“Terminologjia që përdoret në KNKK për personat e zhdukur (forcibly disappeared) është më e gjerë se nocioni i zhdukjes me forcë, i cili në të drejtën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut është përkufizuar si: Privimi nga liria nga autoritetet shtetërore ose nga personat ose grupet e personave që veprojnë me përfshirjen e shtetit, që pasohet nga ndonjë refuzim për ta pranuar privimin nga liria ose nga fshehja e fatit apo vendndodhjes së personit të zhdukur” – deklaroi Wells për KALLXO.com.

Më tej, Wells thotë se KNKK-ja mirëpret miratimin e kësaj deklarate teksa rikonfirmojnë gatishmërinë e tyre për të siguruar rol afatgjatë të një ndërmjetësi neutral në dialogun mes Kosovës e Serbisë dhe për të kryesuar Grupin Punues për Personat e Zhdukur.

“Ne jemi gjithashtu të gatshëm të marrim një rol vëzhgues në Komisionin e Përbashkët që do të krijohet nga palët. KNKK ka qenë në rajon që nga vitet 1990 dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim familjet e personave të zhdukur” – përfundoi ajo.

Në anën tjetër në konventën ndërkombëtare për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukja me forcë, termi  “Zhdukje me forcë” konsiderohet të jetë arrestimi, ndalimi, rrëmbimi ose çdo formë tjetër e privimit të lirisë nga agjentë të shtetit ose nga persona ose grupe personash që veprojnë me autorizimin, mbështetjen ose pranimin e shtetit.

“‘Zhdukje me forcë’ është konsiderohet të jetë arrestimi, ndalimi, rrëmbimi ose çdo formë tjetër e privimit të lirisë nga agjentë të shtetit ose nga persona ose grupe personash që veprojnë me autorizimin, mbështetjen ose pranimin e shtetit, e përcjellur nga një refuzim për të njohur privimin e lirisë ose fshehjes së fatit ose vendndodhjes së personit të zhdukur, të cilat e vendosin një person të tillë jashtë mbrojtjes së ligjit” – kështu është definuar termi në konventën ndërkombëtare.

Sipas Konventës Ndërkombëtare, asnjë rrethanë e jashtëzakonshme, qoftë një gjendje lufte apo një kërcënim lufte, paqëndrueshmëri e brendshme politike apo ndonjë emergjencë tjetër publike, nuk mund të përdoret si justifikim për zhdukjen e detyruar.

A kanë dallime termet “forcibly disappeared” dhe “enforced disapperance”?

Nora Ahmetaj, hulumtuese për ballafaqimin me të kaluarën për termet “forcibly disappeared” dhe “enforced disapperance” thotë se interpretimi gjuhësor është i njëjtë.

“Të kidnapuarit me dhunë “forcibly disappeared” jane zhdukë gjatë luftës dhe kur palët kanë të armatosura në luftë ato do duhet ti nënshtrohen respektimit të Konvetave të Genevës (Kryqi i Kuq Ndërkombëtar) e të mos kidnapojnë civilë” – tha Ahmetaj.

“Juristët mund të hapin fronte të tjera të interpretimit se Kosova atë kohë s’ ka qenë as shtet (anëtare e OKB) dhe nuk mban përgjegjësi, megjithatë të gjitha palët e armatosura në luftë duhet t’i zbatojnë rregullat e luftës” – shton ajo.

Ndërkaq, Amer Alija, mbikëqyrës në projektin për krime të luftës në Fondin për të Drejtën Humanitare thekson se termet janë shumë të përafërta, mirëpo sipas tij “enforced disapperance” përdoret në mekanizmat e ndryshëm ndërkombëtarë, si Konventa Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Personave nga Zhdukja me Dhunë, ndërsa termi “forcibly dissapeared” nuk është përdorur.

“Vetëm Komitetit Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq e ka përdorur në disa raporte këtë termin. Ne ende nuk e kemi gjetur interpretimin e saktë dhe preciz të termit “Forcibly Dissapered’”- shpjegon ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti insiston se palët janë dakorduar për “Forcibly disappeared” apo “të zhdukur me dhunë”, ndërsa kryenegociatori serb, Petar Petkoviq thotë se nuk e kanë pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme.

Pas miratimit të Deklaratës për personat e zhdukur, ka ardhur edhe reagimi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, të cilët nënshkrimin e deklaratës e kanë konisderuar si pranim nga ana e Serbisë “krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës në Kosovë”.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shkak se shkon përtej konceptit të personave të zhdukur, dhe në mënyrë eksplicite i referohet konceptit të zhdukjeve me forcë” – thuhet në njoftimin e këtij Komisioni më 3 maj 2023.

Në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, që është mbajtur më 18 maj 2023, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha tha se në dokumentin e miratuar nuk është përdorur termi që përmendet në Kombet e Bashkuara.

“Nuk mundemi ne me folë qysh na e dimë se qysh janë zhdukë nëse në dokumentin zyrtar nuk është termi që është në OKB, është ndryshim i terminologjisë që për mua ka qenë e rëndësishme me u diskutu edhe në Kuvend me zëvendëskryeministrin dhe kryeministrin që me kuptu se çka garanton ndryshimi i një terminologjie që nuk është e njohur në kartat ndërkombëtare” – deklaroi ajo.

Ndërsa Ariana Musliu – Shoshi tregoi dallimin e termeve sipas saj.

“Forcibly disappeared dhe Enforced Disapperance janë dy çështje juridike nëse e ke “Enforced Disapperance” është obligim juridik i shtetit. Nëse e ki “Forcibly Disappeared” është individual dhe shteti nuk merr asnjë obligim ligjor, këto janë çështje që duam t’i dijmë nga zv.kryeministri se çka ka negociu” – tha Musliu – Shoshi.

“Miratimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur shpresë e re për të pagjeturit”

Mbi 1.600 persona konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, përderisa familjarët janë ende në pritje të zbardhjes së fatit të tyre.

Nora Ahmetaj, hulumtuese për ballafaqimin me të kaluarën, mirëpret iniciativën e palëve  për gjetjen e të gjithë të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë dhe shpreson se kjo marrëveshje do të gjejë zbatim.

“Si një avokuese për të drejtat e njeriut dhe gjetjen e personave të zhdukur në Kosovë që nga përfundimi i luftës, unë e mirëpres çdo iniciativë serioze nga dy palët apo marrëveshje për të gjetur mbetjet mortore të të gjithë të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë”- shprehet Ahmetaj.

Miratimin e kësaj deklarate si hap pozitiv në drejtim të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, po e sheh edhe Amer Alija, mbikëqyrës në projektin për krime të luftës në Fondin për të Drejtën Humanitare. Alija thotë se nëse deklarata zbatohet në masë të madhe, mund të priten edhe rezultate pozitive.

“Nëse deklarata me këtë përmbajtje zbatohet në masë të madhe atëherë edhe mund të presim rezultate pozitive në procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur”- thotë Alija. 

Çka thuhet në Deklaratën për personat e zhdukur?

Më 2 maj 2023, pas miratimit të Deklaratës për personat e zhdukur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Bashkimi Evropian e ka publikuar përmbajtjen e kësaj deklarate.

Sipas kësaj Deklarate të publikuar nga Bashkimi Evropian thuhet se të dyja palët kanë njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare dhe kanë vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë.

“Ata janë zotuar gjithashtu të bien dakord për detajet operacionale në takimin e ardhshëm të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve, në nivel të kryenegociatorëve”- thuhet mes tjerash në njoftim.

Deklarata e plotë për personat e zhdukur:

Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave të zhdukur për t’i dhënë fund vuajtjeve të të dashurve të tyre dhe për të nxitur pajtimin dhe paqen e qëndrueshme,

Duke pasur parasysh se kjo deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për personat e zhdukur, i cili përfshin personat e zhdukur me forcë,

Duke kujtuar se të gjitha kategoritë e personave të zhdukur do të trajtohen me prioritet të barabartë,

Duke pranuar punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK,

Inkurajimi i bashkëpunimit me aktorë të tjerë relevantë në fushën e personave të zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP),

Duke e njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare,

Duke vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë për të lehtësuar vuajtjet njerëzore të familjeve,

Ne angazhohemi së bashku:

  •         Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur;
  •         Për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe ndjekjen e gërmimeve;
  •         Për të siguruar akses të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të humbur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000.
  •         Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe çdo dokument tjetër duke përfshirë ato me status të klasifikuar, nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve, të rëndësishme për këtë kontekst;
  •         Të vërë në dispozicion të gjithë dokumentacionin vendas dhe ndërkombëtar me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur të mbetur;
  •         Për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji të tjera të avancuara në zbulimin e varrezave masive, të mundësojë dhe inkurajojë angazhimin aktiv të familjeve të personave të zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,
  •         Për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe adresuar nevojat e familjeve të personave të zhdukur, të krijojnë dhe të punojnë së bashku përmes një komisioni të përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK me synimin për të mbështetur përpjekjet për të zgjidhur fatin e personave të zhdukur të mbetur;
  •         Të monitorojë dhe mbështesë punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes komisionit të përbashkët.
  •         Në këtë kontekst, palët do të rishikojnë dhe përditësojnë termat e referencës dhe kuadrin e përgjithshëm të Grupit të Punës.
  •         Detajet operacionale do të bien dakord në takimin e ardhshëm të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.

Shënim: Përkthimi i Deklaratës nuk është zyrtar!