BBC-ja raporton për çështjen e dinarit dhe ndikimin në komunat me shumicë serbe në Kosovë

Çështja e dinarit në Kosovë, ka zënë vend në një artikull edhe të medias prestigjioze britanike BBC.

Më 1 shkurt hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që përcakton se se vetmja valutë zyrtare në Kosovë për pagesa me para të gatshme të jetë Euro-ja.

Vendimi ka nxitur reagimin e faktorit ndërkombëtar në vend pasi serbët lokalë në komunat me shumicë serbe në Kosovë, kryejnë pagesa dhe paguhen me dinarë serbë.

SHBA-ja dhe BE-ja vendimin e kanë quajtur të njëanshëm përderisa kërkuan që zbatimi i rregullores të shtyhet deri në informimin e saktë dhe tranzicionin e saj.

BBC shkruan se autoritetet e Kosovës po ecin përpara me një politikë që e bën euron monedhën e vetme të pranueshme, edhe pse disa zona ende përdorin dinarë serbë.

Sipas BBC-së, kjo ka rritur presionin tek zonat me banorë serbë.

Media tutje shkruan se shqetësim për mundësi të ndonjë trazire të re kanë shprehur edhe ndërkombëtarët si SHBA, BE etj, të cilët kanë bërë thirrje që ky vendim të shtyhet e diskutohet madje në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.

Pas presionit nga partnerët ndërkombëtarë, BBC thekson se, Qeveria e Kosovës ka deklaruar se “nuk do të zbatonte menjëherë masat ndëshkuese” nëse njerëzit vazhdojnë të përdorin dinarin.

Por ky deklarim i qeverisë ka pak gjasa të qetësojë serbët në Kosovë, të cilët, sipas këtij raportimi, kanë parë një sërë fshirjesh të identitetit të tyre gjatë muajve të fundit.

“Targat serbe të makinave u zhdukën në fillim të vitit dhe autoritetet e Kosovës kanë hequr flamujt dhe tabelat serbe nga ndërtesat publike në zonat me shumicë serbe”- thekson BBC.

Në shkrim theksohet ndikimi që ka kjo politikë, sidomos në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Qyteti mund të jetë brenda kufijve të Republikës së Kosovës, por hyni në një dyqan, kafene apo restorant në bregun verior të lumit Ibër dhe shpejt do shihni se çmimet janë vendosur në dinarë serbë”- thuhet më tej në këtë shkrim.

E përdorimi i kësaj valute pasqyron faktin se shumica e popullësisë në këtë zonë janë të etnisë serbe, madje shumë prej tyre punojnë në institucione që ende financohen nga Serbia.

“Kjo do të thotë se pagat e tyre paguhen në dinarë. E njëjta gjë vlen edhe për pensionet dhe përfitimet sociale që u paguhen serbëve që jetojnë në Kosovë, të cilët janë shumicë në gjithsej 10 komuna”- thekson BBC.

Vendimi i BQK-së, për valutën euro u bë pa njoftim të mjaftushëm paraprak që do mundësonte dhe linte hapësirë serbëve për t’u përshtatur, theksohet me tej në raportim.

BE deklaroi se është “e shqetësuar për pasojat që mund të ketë ky vendim në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës”, duke theksuar ndikimin që mund të ketë në shkolla dhe spitale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”. SHBA dhe Britania e Madhe kanë shprehur shqetësime të ngjashme.

Por, sipas raportimit të BBC-së, Qeveria në Prishtinë ka treguar pak gatishmëri për të dëgjuar përkrahësit më të mëdhenj të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi argumenton se rregulloret e reja nuk përbëjnë ndalim të monedhës pasi ajo “nuk ishte e lejuar në Kosovë as më parë”. “Në vend të kësaj, politika synon të mbrojë konsumatorët dhe sistemin e pagesave në Kosovë”, ka deklaruar Bislimi.

Sipas raportimit, ky argument nuk do t’i bindë serbët e Kosovës apo shumë vëzhgues ndërkombëtarë.

“Studimi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave deklaroi se ndalimi i monedhës përshtatet me qasjen e “presionit të vazhdueshëm” ndaj serbëve të Kosovës që kur kryeministri Albin Kurti mori pushtetin në vitin 2021”.

Ky think tank, sipas BBC-së, vlerëson se një në 10 serbë është larguar nga Kosova vetëm vitin e kaluar, me një të tretën që është larguar përgjithmonë që nga viti 2016.

Think-tanku i bën thirrje BE-së që të inkurajojë kryeministrin Kurti që të zbusë qëndrimin e tij.

BBC thekson se për momentin, përkundër ndalimit, njerëzit në Mitrovicën e Veriut ende përdorin dinarë dhe madje mund t’i tërheqin ato nga makinat e parave të Bankës së Kursimeve Postare.

“Por, për serbët e Kosovës, situata e monedhës shton ndjenjën në rritje të pasigurisë”- raporton BBC.