Baxhaku:  Njerëzit e Kurtit dy ditë para votimit të qeverisë kanë dashur të ma ndërrojnë mendjen

Deputeti i LDK-së Hatim Baxhaku sot në Kuvend ka thënë se para votimit të Qeverisë Hoti, një bashkëpunëtor i Albin Kurtit ka shkuar për t’i kërkuar që të mos e votojë qeverinë e Avdullah Hotit.

Këtë deklaratë ai e bëri pasi  Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur jo legjitime qeverinë e Avdullah Hotit duke përmendur edhe presionin që presidenti Thaçi i ka bërë  deputetit Haxhi Shala për ta votuar qeverinë Hoti.

“Ju po bazoheni në votim të z.Shala. Lideri juaj nuk është hiç më i mirë, dy ditë para se të votohet qeveria, një bashkëpunëtor i ngushtë i Kurtit më ka kërkuar të mos votoj këtë qeveri. Në përgjigjen time, se do ta votojë këtë qeveri legjitime, më ka thënë se z.Kurti, lideri i tij, do një takim me mua. Ka qenë ora 22:00. Pra dallimi nuk është veç te Albini-Hashimi. Dallimi është vet Albini”, tha ai.

Kuvendi është duke i vazhduar punimet për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar si dhe disa projektligje të tjera.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) përmes deputetit Memli Krasniqi ka thënë se nuk do t’i votojë asnjë nga pikat e rendit të ditës, pasi që sipas tyre as LDK-ja sa ishte në opozitë nuk ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

Përveç kësaj janë edhe disa pika të tjera si:

Shqyrtimi i Projektligjit  për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan,

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeo hapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës  mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”,

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës  mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.

Mungesa e kuorumit pamundëson shqyrtimin e 5 marrëveshjeve ndërkombëtare