Bashkim Jashari gradohet në Gjenerallejtënant

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një ceremonie të veçantë ka graduar sot Gjeneralmajor Bashkim Jasharin në gradën Gjenerallejtënant.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Presidentja Osmani tha se kjo gradë bart një detyrim të madh.

“Komandanti i FKS-së Bashkim Jashari sot është graduar në gradën më të lartë dhe jam e bindur si presidente që do ta udhëhiqni me profesionalizëm dhe nder. Nami i familjes suaj, familjes legjendare Jashari, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ranë për lirinë e vendit tonë dhe uniformen që mbani, besimi që ne këtu presidencë dhe Qeveria e Kosovës, bëjnë që kemi pritshmëri të mëdha dhe që ju të keni përgjegjësi të madhe“, tha presidentja Osmani.

Jashari ka pranuar detyrën e komandantit të FSK-së me 1 dhjetor 2021.