Banorët e Hanit të Elezit në hall me mungesën e ujit të pijshëm – VIDEO

Banorët e komunës së Hanit të Elezit ka vite që përballen me mungesë të ujit të pijshëm.

Në këto ditë me vapë, gjendja është vështirësuar për ta. Banorët thonë se po mundohen të gjejnë mënyra alterantive për të siguruar ujë.

Komuna e Hanit të Elezit dhe Kompania Rajonale të Ujësjellësit “Bifurkacioni” në Ferizaj, kanë thënë se brenda pak ditësh pritet të fillojë punën fabrika për përpunimin e ujit në Dimcë. Sipas tyre, kjo pritet të jetë zgjidhje e problemit.

Qytetari, Fehmi Vila, tregon se ata duhet të mbushin ujë në vende të tjera ose ta blejnë atë.

Sipas tij, ky është një problem afatgjatë me të cilin po përballen.

“Prej se ekziston si lagje kurrë ska pas ujë të pijshëm, vjen direkt prej fshatit pa filtrim, sa u kanë te menaxhu, fabrika, para luftës ka pas pak kontroll tash ska kurrfarë kontrolli qysh vjen prej bjeshkës,vjen qashtu i dekontaminum“- ka treguar Vila.

Ai shtoi se përveç furnizimit me ujë kjo çështje po iu shkakton edhe vështirësi të tjera.

“Është e vështirë shumë se s’ka ujë gjithë i turbullt është, s’është ujë i pijshëm, edhe për banjo s’ban, po naj nxen krejt inventarin, sholet, llavaborin, ujin, u mytëm merr mjeshtër për çdo ditë, duke i pastru, duke i çelë”- ka thënë ai.

Edhe qytetari, Hesat Daci, ka thënë se ata shkojnë në vende më të largëta si në vendbanimet Glloboqicë e Paldenic, për t’u furnizuar me ujë.

“Besoj qe 20-30 vite që jam këtu, ujë nuk ka të pijshëm, s’kemi ujë për me pi ujë të pijshëm s’ka”- tha ai.

Daci ka theksuar periudhën e verës, kur është vapë e madhe e ata nuk kanë ujë.

“E vështirë është boll, tash s’kemi çka me ba, ma e vështirë ma s’ka ku me shku, ujë përshembull nuk ka, nxehtësi e madhe, ujë s’ka, duhet me marrë kerrin me dalë e me mushë ujë”- tha ai.

Daci ka thënë se banorët kanë bërë ankesa, por ato vetëm janë pohuar dhe ai shprehet se nuk po arrihet një zgjidhje.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka thënë se kjo problematikë është që nga paslufta.

Ai shton se kanë bërë përpjekje për ta zgjidhur këtë çështje.

“Pjesa nën hekurudhë e përtej lumit Lepenc thuajse është e zgjidhur, për shembull, në fshatin Gorancë, vitin e kalum, e kemi zgjidh këtë problem të ujit të pijshëm duke intervenuar në pompat e ujit dhe tani kanë mjaftueshëm”- ka thënë Ballazhi.

E për pjesën tjetër, ai thotë se fabrika për përpunimin e ujit në fshatin Dimcë është në përfundim të funksionalizimit.

“Jemi në fazën e fundit ku fabrika duhet të funksionojë dhe sipas udhëheqësve të kompanisë për menaxhimin e ujërave për Bifurkacionin në Ferizaj, ata e kanë fazën e rekrutimit të punëtorëve që do të punojnë në fabrikën e ujit”- tha ai.

Kryetari Ballazhi ka shtuar se pas përfundimit të këtij procesi, ata do të marrin masa të tjera nëse nuk mjafton kapaciteti i ujit.

Tutje, ai, thekson se ata nuk munden në një kohë të shkurtër të bëjnë të gjitha intervenimet. Po ashtu, ai ka edhe disa sugjerime për qytetarët.

“E para të kenë durimin sepse jemi në fazën e fundit dhe e dyta të kenë kujdes në përdorimin e ujit, pra, s’po them keqpërdorime, por në përdorim të ujit të kenë shumë kujdes sepse në kohë të verës zakonisht ka mungesë apo pakësim të kapaciteteve të ujit“- ka thënë ai.

Ndërkaq, drejtori i KRU “Bifurkacioni”, Jeton Shabani, ka thënë se Komuna e Hanit të Elezit në tërësi nuk është e menaxhuar nga kjo kompani, por vetëm 30 për qind.

Ai ka pohuar se pothuajse gjysma e kësaj zone kanë mungesë të ujit. Por sipas tij, kjo shpejt do të ketë një rrugëdalje pasi ata janë në rekrutim të stafit dhe si proces për 10 ditë pritet të përfundojë.

“Mbulimet e tyre alternative ose burimi qe vie i ujit për fabrikë shkon te qytetarët pa trajtim sepse ende se kemi në menaxhim, po besoj që brenda një afati të shkurt, 10 ditë ju zgjidhet ky problem edhe po besoj që kanë me pas ujë të pijshëm “- ka thënë drejtori Shabani më 17 korrik të këtij viti.

Më 1 gusht 2023, KALLXO.com ka pyetur sërish drejtorin Shabani nëse është funksionalizuar fabrika. I njëjti ka thënë se kjo pritet të ndodhë në javën e parë gushtit të këtij viti.

Paraprakisht ai kishte theksuar se ka përfunduar procesi intervistimit me shkrim dhe me gojë, rezultatet kanë dal dhe ai thotë se tash janë procedurat administrative ligjore të cilat e përcaktojnë afatin se kur do të fillojnë punën këta punëtorë.

Shabani, ka treguar se në vitin 2010 është lëshuar në përdorim kjo fabrikë, por shkaku i mosmirëmbajtjes, ka dalë jashtë funksionit. E pastaj, ai ka treguar se arsyeja që ka pasur vonesa ka qenë pandemia COVID-19.

Sipas tij, uji në këtë fabrikë do të kontrollohet 100 për qind dhe do të jetë i pastër për konsum.

Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve për shfrytëzim sa më racional të ujit dhe të mos e keqpërdorin ujin e në rast se shohin ndonjë parregullësi, keqpërdorim, rrjedhje të ujit, të lajmërojnë Kompaninë “Bifurkacioni”.