Rruga e pashtruar në fshatin Dumnicë e Poshtme në Vushtrri

Banorët e Dumnicës së Ulët kërkojnë zgjidhje për rrugën e pashtruar

Një rrugë e paasfaltuar në fshatin Dumnicë  e Ulët të Vushtrrisë po ua vështirëson qarkullimin banorëve të kësaj ane.

Rruga, “ Rexhep Hasani” tash e disa vite është  e shtruar vetëm me zhavor.

Ismet Hasani, banor në këtë rrugë tha për KALLXO.com se si shkak i baltës veturat e tyre po e kanë problem lëvizjen.

“Qikjo rrugë neve po na sjellë probleme sa dush po e shihni edhe vet mbrapa meje që na ka mbet  kamioni që dy-tri ditë me mezi e ka nxjerr nuk ka  mujt me dal prej lloqi. Fëmijët kanë me shku në shkollë na kemi me shku në punë, tonat halle i kemi në këtë rrugë ”

Hasani shton tutje se kanë bërë edhe kërkesë për zgjidhje në Komunën e Vushtrrisë.

“ Mua më kanë thënë qatë herë mbas kërkesës që e kam bërë, që mu ka kthy negativ, që nuk kemi mjete. Por çka është bërë mbas anej, mas atyre mjeteve janë shtru edhe shtatë e tetë rrugë tjera. Nuk e di unë ka i murrën ata, ato  mjete. Na mbetem qitu ku jemi”

Problem tjetër i këtyre banorëve është edhe përroi që kalon afër shtëpive të tyre.

Sipas banorit tjetër, Blerim Latifi, përroi po u sjell probleme me vërshime çdo herë kur bie shi.

“ Papastërtia e tij shkakton gjithçka vetëm kur kalon këndej është erë e rëndë  e lejë më shtëpitë që janë afër këtij lumi. Ka pas donacione që janë dhënë për dëmet që janë bërë ato as për pastrimin e tepiave nuk ishin dal e leje më për ndonjë gjë tjetër që me i kompensu ato. Kështu që  kërkesa e fshatit tonë është të bëhet thellimi i këtij lumi”, tha ai.

Ndërsa Komuna e Vushtrrisë në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se rruga, “ Rexhep Hasani” pritet të asfaltohet gjatë këtij viti.

“Rruga “Rexhep Hasani” është përzgjedhur si rrugë me nevojë për asfaltim nga komisioni dhe e njëjta është votuar nga anëtarët e Kuvendit në shtator të vitit 2020. Si e tillë, kjo rrugë planifikohet të asfaltohet këtë vit pasi që edhe janë ndarë mjetet buxhetore”, tha  Berat Sadiku, drejtor i Urbanizimit në Komunën e Vushtrrisë.