Bajrami: Deklaratat e LVV-së për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut kanë për qëllim frikësimin e sistemit të drejtësisë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka folur për arrestimin e kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, nën dyshimin për ‘keqpërdorim të pozitës, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit’.

Bajrami ka thënë se janë shqetësuese reagimet deputetëve dhe zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me këtë rast.

Ajo ka thënë se këto deklarata kanë për qëllim shantazhimin dhe frikësimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

“Deklaratat e juaja duke filluar nga kryetari i Komisionit për legjislacion në akuza dhe deklarata denigruese për prokurorinë dhe drejtësinë e shtetit, kanë për qëllim jo vetëm me i pengu hetimet në rastin konkret por më i shantazhu e frikësu gjyqtarë e prokurorë që raste të tilla mos me i hetu”- ka thënë ajo.

Bajrami ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur parti politike që kanë akuzuar organet e drejtësisë njëjtë si LVV.

“Në këtë vend ka pasë arrestime të njerëzve të politikës edhe para se më ardhë ju në pushtet, por asnjëherë nuk ka pasë parti politike që në mënyrë të sinkronizuar kanë dalë dhe i kanë akuzu organet e drejtësisë” – ka thënë ajo.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia ka arrestuar dje kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqin.

Ai është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar; ushtrimit të ndikimit, dhe konfliktit të interesit.

Në njoftim thuhej se Njësia e Veçantë e Hetimeve po ashtu ka bastisur zyrën e Krasniqit në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuterë, 1 lap-top, 1 celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.

Arrestohet kryeshefi i KEK-ut, dyshohet për tri vepra penale