Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti - Foto: ZKM

Avdullah Hoti nuk pret marrëveshje finale në takimin e 27 qershorit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se nuk ka ndonjë agjendë sa i përket takimit të 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë me liderët e Serbisë.

“Nuk ka agjendë, nuk ka tema ende, ajo që dihet është pozicioni i Qeverisë së Kosovës, i cili është mirëkuptuar nga partnerët tanë. Besoj që duke pasur parasysh kompleksitetin e çështjes nuk është marrëveshje që mund të mbyllet më një takim, nëse në këtë takim mund të merremi vesh për parimet e dialogut do të ishte shumë mirë, ajo na tregon rrugën për më tutje”, deklaroi Hoti në tryezën e KDI-së.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës, ka shtuar se nuk ka informacione për ndonjë marrëveshje të gatshme mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk jam në dijeni si kryeministër i Kosovës që ka ndonjë draft të marrëveshjes dhe kjo besoj e ka bërë punën tonë më të lehtë për të kornizuar qasjen tonë në këtë proces. Ne shkojmë në Uahsitngon ta prezantojmë qëndrimin tonë, parimet tona mbi të cilat duhet të arrihet kjo marrëveshje”, ka thënë Hoti më tej.

Dialogu Kosovë – Serbi për normalizimine marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, është pezulluar, që nga koha kur ish kryeministri kosovar Ramush Haradinaj vuri tarifën 100% kundër mallrave serbe, në nëntor të 2018-tës.

Kurse, emisari i Presidentit Donald Trump dhe emisarit Richard Grenell, njoftoi për një takim në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor me liderët nga Kosova dhe Serbia.