Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Avdullah Hoti: Hera e parë pas 20 vitesh që drejtori i RTK-së nuk raporton para Komisionit

Ish kryeministri i Kosovës, tani deputet i LDK-së, Avdullah Hoti ka komentuar mungesën e Drejtorit të RTK-së në raportimin që Bordi i RTK-së është duke e bërë në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Të pranishëm në këtë komision janë kryetari i bordit të RTK-së, Sali Bashota dhe dy anëtarë të tjerë të bordit, por jo edhe drejtori ekzekutiv i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti i ka shtuar pyetje anëtarëve të Bordit se psë drejtori Ngadhnjim Kastrati nuk është i pranishëm në komision.

“Është hera e parë që 20 vjet që në raportimin e raportit vjetor financiar të RTK-së nuk është drejtori ekzekutiv, pse kjo, a ka pas ftesë ai apo jo ? Drejtori duhet të ishte për shkak të specifikave të raportimit”, tha Hoti.

Ndërkaq kryesuesi i Komisionit nga LVV-ja Armend Muja tha se kjo ka ndodhur pasi organizatat ndërkombëtare kanë propozuar që ai të mos ftohet në raportim si shkak i situatës së krijuar në mbledhjen e kaluar.

“Organizatat ndërkombëtare kanë paraqit një listë të parimeve një ndër to është që bordi të raportoj para komisionit dhe jo drejtori pasi jepet perceptimi që komisioni po ndërhynë në RTK. Kjo ka ndodh edhe si shkak i situatës dhe mënyrës së raportimit herën e kaluar”, tha Muja.

Ndaj kësaj reagoi Hoti duke thënë se kjo është si shkak i mënyrës së zhvillimit të debatit në mes të deputetëve të LVV-së dhe drejtorit ekzekutiv të RTK-së, Ngadhnjim Kastratit.

Ndërkaq, Visar Korenica  nga LVV iu kundërpërgjigj Hotit duke thënë se “ndoshta është mënyra e reagimit të Kastratit që ka shtyrë reagimin e organizatave ndërkombëtare”.