Ilustrim

Autoriteti i Konkurrencës: Dallimi i çmimeve të derivateve në Kosovë mes kompanive deri 9 cent

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi  ka  njoftuar se nga monitorimet e bëra ndaj çmimeve të naftës në tregun kosovar  është vërejtur një  ndryshim i tyre  në mes kompanive të derivateve.

Prestreshi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ky dallim i çmimeve të derivateve  ka qenë deri 9 cent.

“Nga monitorimet e bëra në terren, është vërejtur se tashmë ekziston një llojshmëri më e madhe e çmimeve të naftës, gjë që nuk ka qenë rasti në të kaluarën. Më konkretisht, është vërejtur se dallimi i çmimit të derivateve mes kompanive në disa raste ka arritur deri në 9 centë, duke i mundësuar kështu konsumatorëve që të zgjedhin ndërmarrjet që ofrojnë çmimin më të ulët të këtij produkti”, ka thënë ai.

Kryetari i AKK-së  ka shtuar se ky institucion synon të nxis ndërmarrjet në respektimin e politikave të konkurrencës,  të shmang dënimet e mundshme si dhe ka ftuar qytetarët që të paraqesin çdo rast që mund t’a konsiderojnë si shkelje të konkurrencës.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës synon që të avokojë tek ndërmarrjet për respektimin e politikave të konkurrencës dhe është e interesuar që kurdo që është e mundshme të evitohen dënimet dhe fton të gjithë konsumatorët dhe aktorët e tjerë që të lajmërojnë çfarëdo rasti që ata mund ta konsiderojnë si shkelje e konkurrencës”, ka theksuar Prestreshi.

Ky inspektim vie një muaj pasi AKK kishte gjobitur me mbi 4 milionë euro  14 kompani të derivateve të naftës për çrregullim të konkurrencës në treg gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018.