Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Auditori: Në vitin 2021 u angazhuan 258 bashkëpunëtorë të jashtëm në RTK

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Radio Televizioni i Kosovës nuk ka bërë ndonjë vlerësim për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe kërkesat për bashkëpunëtorë të jashtëm janë bërë në baza individuale.

Sipas të dhënave të publikuara nga Auditori në raportin e publikuara në vitin 2021, në dhjetor të vitit 2019, RTK ka pasur të angazhuar 238 bashkëpunëtorë të jashtëm, në dhjetor të vitit 2020 i ka pasur 218 dhe në dhjetor të vitit 2021 i ka pasur gjithsej 258.

“Arsyetimet e shpeshta në propozimet e bëra për angazhimin e bashkëpunëtorëve janë shtimi i vëllimit të punës, mungesë e stafit në njësitë përkatëse apo pensionimi i stafit. Kërkesa për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm ka ndodhur çdo vit”, thuhet në raport.

Kontratat për bashkëpunëtorët e jashtëm lidhen në bazë të Ligjit për marrëdhëniet e detyrimeve ku këto kontrata lidhen për një punë të caktuar sikurse është prodhimi apo riparimi, apo kryerja e një pune fizike dhe intelektuale për kohë të kufizuar dhe jo për pozita të rregullta pune sipas Rregullores së RTK-së për Sistematizimin e Vendeve të Punës.

Por sipas Auditorit, mbi 70% e bashkëpunëtorëve të jashtëm, RTK i kishte angazhuar në pozita të rregullta.

Të gjithë bashkëpunëtorët e jashtëm me pozita sipas tabelës për harmonizimin e vendeve të punës në RTK kanë kontratë vjetore dhe janë paguar çdo muaj për punën e angazhuar. Pjesa e bashkëpunëtorëve të jashtëm me pozita të parapara sipas rregullores së brendshme për bashkëpunëtorë të jashtëm (Aktor, Skenarist, Asistent i Regjisë, Ekspertë të Teknologjisë Informative, Programi i Vitit të ri, Instrumentist, Dirigjent dhe të angazhuarit në programin e natës) kanë kontrata për periudhë të caktuar, kryesisht nga 3 muaj deri 12 muaj të cilët janë paguar për njësi.

Si rezultat i mospunësimit të stafit të rregullt sipas nevojave të përcaktuar me projeksion buxhetor, janë angazhuar bashkëpunëtorë të jashtëm në pozita të rregullta.

“Angazhimi i bashkëpunëtorëve të jashtëm pa ndonjë vlerësim paraprak mbi nevojën e angazhimit të tyre rrezikon keq menaxhimin e mjeteve të parapara për bashkëpunëtorë të jashtëm dhe jo për pozita të cilat duhet plotësuar me staf të rregullt”, theksohet në raport.