Ndertesa e Komunes se Pejes, Photo: Atdhe Mulla.

Auditori: Komuna e Pejës vonoi deri në 175 ditë përfundimin e tri punëve të kontraktuara

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se komuna e Pejës gjatë vitit 2022 në tri raste e ka vonuar deri në 175 ditë përfundimin e punëve të kontraktuara.

Auditori ka evidentuar se kontrata për ndërtimin e çerdhes për fëmijë në lagjen Karagaq, projekt ky në vlerë prej 242,684 euro është vonuar deri në 175 ditë. Kjo kontratë është nënshkruar më 12 maj të vitit 2021.

Vonesa tjetër ka qenë në kontratën për ndërtimin e hapësirave publike për rreth QKMF-së, kontratë kjo në vlerë 95,365 euro, e nënshkruar më 15 korrik 2021.

Sipas ZKA-së, vonesa për këtë ka qenë deri në 167 ditë.

Vonesën e tretë ZKA që ka evidentuar është në kontratën “Rregullimi i parkut Karagaq” e cila figuron të ketë vlerë prej 33,434 euro, dhe është e nënshkruar më 19 tetor 2021.

Për këtë, ZKA ka evidentuar se vonesa ka qenë deri në 126 ditë.

Sipas auditorit, në asnjërin prej këtyre rasteve nuk kishte kërkesë apo aprovim për zgjatjen e afatit për realizimin e kontratave.

Po ashtu nuk janë aplikuar masat e ndëshkimeve për vonesa në realizimin e punëve.

Sipas zyrtarëve komunal, shkaku i vonesave në punë ishte rritja e çmimeve të materialit ndërtimore në treg për shkak të inflacionit, megjithatë, vonesat janë reflektuar edhe nga mungesa e kontrolleve të brendshme.

Me këtë rast, Auditori ka shpjeguar se vonesat në kryerjen e projekteve ndikojnë në rritjen e obligimeve kontraktuese të cilat mund të kenë implikime buxhetore për buxhetin e vitit pasues.

Sipas Auditorit, kjo gjë po ashtu ndikon në performancën dhe mos arritjen e objektivave të përcaktuara të Komunës.

“Kryetari duhet të siguroj që, përmes menaxherit të prokurimit, si dhe menaxherëve të kontratave, se realizimi i kontratave bëhet në përputhje me planin dinamik/afatin për kryerjen e punëve/furnizimeve dhe për vonesat e pa arsyetuara, të aplikohen masat e parapara në kontratë”- thuhet në rekomandimin e Auditorit për të parin Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Në Raportin e Auditimit për vitin 2022, menaxhmenti i Komunës së Pejës, është pajtuar me këto gjetje.