Foto nga: Pajtim Çuni & Vjosa Çerkini

Auditori jep opinion të kundërt për KRU Bifurkacioni

Zyra Kombëtare e Auditorit, në raportin për vitin 2019 të KRU Bifurkacioni ka dhënë opinion të kundërt, në pasqyrat financiare për të cilat thuhet se nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë të pozitës financiare deri më 31 dhjetor 2019 si dhe rrjedhës së parasë së gatshme për vitin 2019, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF).

Në raport thuhet se transaksionet nuk janë kryer në pajtim me rregullat dhe rregulloret financiare të aplikueshme për ndërmarrjet publike.

Auditori ka sqaruar se sipas Standardit Ndërkombëtar të Kontabilitetit rivlerësimet e pasurive duhet të bëhen në mënyrë të rregullt çdo tri ose pesë vite, që të sigurohet se vlera kontabël (neto) e aktivit nuk ndryshon materialisht nga ajo që do të përcaktohej nëse do të përdorej vlera e drejtë në fund të periudhës raportuese.

“Kompania procesin e vlerësimit të aseteve për herë të fundit e kishte realizuar në vitin 2007. Si rezultat i kësaj në regjistrin kontabël të aseteve, figurojnë një numër asetesh (444 sosh), me kosto të përvetësimit në shumën 897,767 euro, e që janë të zhvlerësuara në tërësi dhe të regjistruara me vlera zero. Këto pasuri janë ende aktive dhe për të njëjtat, nuk ishte bërë ri vlerësimi dhe rishikimi i jetëgjatësisë së tyre”, thuhet në raport.

Çështja e rivlerësimit të aseteve, sipas ZKA-së është trajtuar edhe në raportin e auditimit financiar për vitin 2018, mirëpo sipas zyrtarëve të Kompanisë, mungesa e burimeve financiare dhe afarizmi me humbje kanë ndikuar në mos marrjen e veprimeve për një procedurë të tillë.

Gjithashtu duke u bazuar në politikat e zbatuara të zhvlerësimit të Kompanisë, auditori ka kryer ri llogaritjen e zhvlerësimit sipas grupeve dhe normave të zhvlerësimit për të cilat kanë ardhur në përfundim se shpenzimet e zhvlerësimit janë nënvlerësuar për 8,721 euro.

“Ky nënvlerësim ka ndikim në pasuritë neto, fitimin/ humbjen dhe fitimet e mbajtura të Kompanisë”, thuhet në raport.

Sipas raportit kompania, detyrimet për TVSH i kishte prezantuar në shumën prej 396,392 euro, ndërsa auditori ka konfirmuar se Kompania është kreditore ndaj Administratës Tatimore për shumën 24,386€, për këtë llogari tatimore.

“Diferenca ndërmjet shumës së prezantuar në bilancin e gjendjes dhe detyrimit të konfirmuar, në shumën prej 372,005.47 euro, është shumë për të cilën janë mbivlerësuar detyrimet afatshkurtra”, thuhet në raport ku shpjegohet se kjo ka ndodhur si rrjedhojë e mos harmonizimit për vite me radhë të TVSH-së në regjistrat kontabël me gjendjen e deklarimeve dhe borxheve ndaj Administratës Tatimore.

Në raport thuhet se “Detyrimet ndaj granteve” ishte prezantuar në shumën 5,076,691.00 euro, shumë kjo e mbivlerësuar për 1,727,052.00 euro.

Ky mbivlerësim sipas auditorit kishte rrjedhë si pasojë e zbatimit të dy metodave të ndryshme të zhvlerësimit për të njëjtat grante.

“Në regjistrin e pasurisë është zbatuar metoda lineare e zhvlerësimit me normën 20 për qind, ndërsa në regjistrat kontabël të granteve është zbatuar metoda e saldos zbritëse me shkallë të zhvlerësimit 5 për qind”, thuhet në raport.

Llogaritë e pagueshme tregtare sipas auditorut janë të nënvlerësuara për 10,268 euro.

“Kjo shumë e nënvlerësuar rrjedhë si pasojë e gabimeve teknike të bartura nga vitet e mëparshme. Për më tepër, nga 21 raste të testuara, për nëntë prej tyre në vlerë 13,048 euro, nuk kemi gjetur dëshmi burimore – fatura apo kontrata që e mbështesin detyrimin e Kompanisë ndaj furnitorëve. Mungesa e dokumenteve burimore për të pagueshmet, ndikon në besueshmërinë e informacionit financiar dhe prezantim jo të saktë të obligimeve në pasqyrat financiare”, thuhet tutje.

ZKA ka sqaruar përgjegjësitë e menaxhmentit për Pasqyrat Vjetore Financiare duke thënë se menaxhmenti është përgjegjës për përgatitjen dhe prezantimin e drejtë të Pasqyrave Financiare sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar.

“Po ashtu, menaxhmenti është përgjegjës për vendosjen e kontrolleve të brendshme, të cilat i përcakton si të nevojshme për të mundësuar përgatitjen e pasqyrave financiare pa keqdeklarime materiale të shkaktuara, qoftë nga mashtrimi apo gabimi”, thuhetnë raport.

Menaxhmenti sipas auditorit është po ashtu përgjegjës për kryerjen e transaksioneve financiare në pajtim me kornizën e aplikueshme ligjore.

Edhe Bordi i Drejtorëve sipas auditorit është përgjegjës për mbikëqyrjen e procesit të raportimit financiar të KRU Bifurkacioni sh.a.

Auditori ka dhënë një sërë rekomandimesh për bordin e drejtorëve, ku thuhet se bordi duhet të sigurojë një rishikim gjithëpërfshirës të regjistrit të pasurisë dhe veprime konkrete për rivlerësimin dhe rishikimin e jetës së dobishme të pasurive.

“Bordi i Drejtorëve të sigurojë prezantimin e saktë të detyrimit ndaj granteve dhe të hyrat nga grantet në pasqyrat financiare si dhe zbatimin e harmonizimeve periodike në mes të regjistrave kontabël për grantet me të ardhurat e shtyra”, thuhet në raport.

Audotori i ka rekomanduar Bordit të Drejtorëve të sigurojë se është bërë një analizë e shkaqeve të cilat kanë ndikuar në modifikimin e opinionit dhe të ndërmerren veprime për t’i adresuar këto shkaqe në mënyrë sistematike.

Kjo qasje sipas auditorit do të parandalonte gabimet në pasqyrat financiare vjetore duke siguruar kështu një pamje të drejtë dhe të vërtetë të tyre.

Ndërsa përgjigjja e menaxhmentit ishte se “pajtohen me të gjitha çështjet tek baza për opinion”.