Foto nga: Pajtim Çuni & Vjosa Çerkini

Auditori i Brendshëm i kompanisë Bifurkacioni nuk e realizon në tërësi planin vjetor

Zyra Kombëtare e Auditimit kishte gjetur se në Kompaninë Bifurkacioni Auditori i Brendshëm kishte një shkallë të ulët të realizimit të planit të auditimit, ku prej tetë raporteve të planifikuara kishte arritur t’i përfundoj vetëm dy apo 25 për qind të raporteve të planifikuara.

Në raport thuhet se kjo ka ndodhur si shkak i mos funksionimit efektiv të NjAB-së dhe mungesës së mbikëqyrjes nga Komitetit i Auditimit.

Sipas auditorit mos realizimi i planit vjetor të NjAB-sё zvogëlon sigurinë që i ofrohet menaxhmentit në lidhje me funksionimin e kontrolleve në ndërmarrje.

“Kjo mund të rezultojë me dobësi të paidentifikuara dhe me vazhdimin e praktikave joefektive që mund të rezultojnë me humbje financiare për ndërmarrjen”, thuhet në raport.

Si gjetje tjetër e ZKA-së njësia e auditimit të brendshëm nuk ka politika dhe procedura të hartuara që rregullojnë procesin e auditimit të brendshëm. Kjo sipas auditorit ka ndodhë si rezultat i mungesës së iniciativës nga kjo njësi.

Raporti i auditorit tregon se në mungesë të këtyre politikave dhe procedurave, NJAB-së mund të bëjë anashkalime të praktikave profesionale të auditimit të brendshëm dhe rrjedhimisht të mos arrijë t’i shërbejë qëllimit për të cilin është formuar kjo njësi.

Auditori i rekomandon Bordit i Drejtorëve të sigurojë që janë ndërmarrë hapa konkret për hartimin e politikave dhe procedurave që udhëzojnë ushtrimin e aktiviteteve të AB-së.

Gjithashtu, Auditori kishte gjetur se për vitin 2019, Komiteti i Auditimit nuk kishte funksionuar në mënyrë efektive përderisa kishte mbajtur vetëm dy takime.

“Kjo kishte ndodhur si shkak i interesimit jo të mjaftueshëm të Komitetit të Auditimit për të dhënë kontributin në përmirësimin e kontrolleve të brendshme, qeverisjen e mirë dhe menaxhimin e rrezikut në ndërmarrje”, thuhet në raport.