Ilustrim

Tash e dy muaj pa ujë

Rreth 200 shtëpi në fshatin Kosinë të komunës së Ferizajt, nga 15 maji janë pa ujë dhe sipas banorëve të këtij fshati gjendja është e papërballushme sepse janë bërë 2 muaj dhe ende nuk është marrë ndonjë vendim për zgjidhjen e problemit.

Kryetari  i fshatit, Hysen Reshani, ka thënë se ka kontaktuar me zëvendësin e komunës, Albion Sherifin, mirëpo problemi ende nuk është zgjedhur.

”Unë kam biseduar me zëvendësin e komunës, Albion Sherifin dhe ai më ka thënë që ne nuk kemi kompetenca për këtë çështje, tani me këto çështje mirret dikush tjetër, por ai më tha që për këtë problem do të flas me rrjetin e ujësjellësit ”Bifurkacioni”, tha Reshani përmes telefonit.

Reshani tutje shtoi se ka kontaktuar edhe me rrjetin e ujësjellësit ”Bifurkacioni”, dhe sipas tyre arsyeja e mbetjes pa ujë është se nuk ka ujë të bollshëm për furnizim.

Kryetari i fshatit tregoi se e kanë filluar një peticion i cili është pothuajse gati për dorëzim në komunë. Madje ai e përmendi edhe faktin se disa fshatra si Llojza dhe Koshare kanë ujë dhe po e shfrytëzojnë ujin e fshatrave të tjera.

”Unë kam qenë për t’i vizituar nga afër banorët e fshatit Kosinë dhe furnizimin me ujë e kanë shumë problem, ata furnizohen me ujë nga disa familje që kanë puse”, tha Reshani.

Është kontaktuar edhe me zëvendësin e komunës, Albion Sherifin dhe ky i fundit përmes telefonit tregoi se i ka informuar rrjetin e ujësjellësit ”Bifurkacioni” për këtë problem.

Ndërkaq, Valdet Syla nga rrjetit të ujësjellësit “Bifurkacioni”, tregoi se janë në dijeni të kësaj çështje dhe se po mundohen ta rregullojnë problemin me ujë.

”Jam në dijeni që fshati është pa ujë, i gjithë ky problem është shkaktuar si pasojë e temperaturave të larta dhe nga mungesa e furnizimit me ujë në atë zonë janë problemet kryesore”, tha Syla përmes telefonit.

Ky i fundit tregoi se janë në finalizim të disa projekteve për furnizim me ujë në ato zona dhe se kanë në plan që të hapin puseta të reja por nuk përmendi datë konkrete se kur do tu kthehet uji banorëve të fshatit Kosinë./RTV21