Associated Press: Shqipëria pritet ta miratojë një marrëveshje me Italinë për t’i përpunuar kërkesat e mijëra emigrantëve për azil

Parlamenti i Shqipërisë pritet të votojë sot (22.02.2024) një marrëveshje me Italinë për t’i strehuar mijëra emigrantë të shpëtuar në ujërat ndërkombëtare nga autoritetet italiane, ndërkohëe që kërkesat e tyre për azil janë duke u trajtuar, shkruan agjencia e lajmeve amerikane, Associated Press.

Sipas marrëveshjes pesëvjeçare, Shqipëria do të strehonte deri në 3,000 emigrantë në çdo kohë. Me kërkesën për azil që pritet të marrë rreth një muaj kohë për t’u përpunuar, numri i azilkërkuesve të dërguar në Shqipëri mund të arrijë deri në 36,000 në një vit.

Dy qendra përpunimi do të ngrihen në Shqipëri me një kosto për Italinë prej më shumë se 600 milionë euro gjatë pesë viteve.

Me Partinë Socialiste të majtë të kryeministrit shqiptar Edi Rama që mban 74 nga 140 ulëset e Parlamentit, marrëveshja pritet të kalojë. Presidenti do të nxjerrë gjithashtu një dekret si hapi përfundimtar i miratimit.

Një grup prej 30 ligjvënësish u përpoqën ta bllokonin ratifikimin duke apeluar në Gjykatën Kushtetuese, por në fund të janarit vendimi i Gjykatës Kushtetuese tha se një marrëveshje e tillë e ka dritën e gjelbër që të vazhdojë tutje.

Dhoma e ulët e parlamentit të Italisë e miratoi marrëveshjen në janar 2024, e ndjekur nga Senati në fillim të këtij muaji.

Marrëveshja, e nënshkruar në nëntor 2023 midis Ramës dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni, është pjesë e përpjekjeve të Melonit për ta ndarë barrën e trajtimit të migracionit me vendet e tjera evropiane. Ajo (marrëveshja) u miratua nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, por është kritikuar gjerësisht nga grupet e të drejtave të njeriut.

Dy objektet në Shqipëri do të drejtohen plotësisht nga Italia, ndërkohë që ajo do të përshpejtonte kërkesat e tyre për azil. Meloni ka thënë se pret që ato të bëhen funksionale deri në pranverën e vitit 2024.

Italia do të mbetet ligjërisht përgjegjëse për migrantët gjatë gjithë procesit. Do t’i mirëpresë ata nëse do t’u jipet mbrojtje ndërkombëtare ose do të organizojë dëbimin e tyre nga Shqipëria nëse refuzohen.

Migrantët të kapur brenda ujërave territoriale të Italisë, ose nga anijet e shpëtimit të operuara nga organizata joqeveritare, do të ruajnë të drejtën e tyre sipas ligjit ndërkombëtar dhe të BE-së për të aplikuar për azil në Itali dhe për t’i trajtuar kërkesat e tyre atje.

Rama ka thënë se Shqipëria qëndron përkrah Melonit në shenjë mirënjohjeje në emër të shqiptarëve që gjetën strehim në Itali dhe “i shpëtuan ferrit dhe imagjinuan një jetë më të mirë” pas rënies së komunizmit në Shqipëri në vitet 1990.

Italia ka kërkuar më shumë solidaritet nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian për ta ndihmuar atë të përballojë numrin në rritje të të ardhurve. Numri i emigrantëve që mbërrijnë në Itali me anije ishte pothuajse dyfishuar në rreth 160,000 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Associated Press

Përgatiti: Nuhi Shala