Asnjë rast i ri me COVID-19 dhe një i shëruar në Gjilan

Sipas të dhënave të fundit të publikuar nga Instituti i Shëndetësisë Publike, sot kanë rezultuar 37 persona pozitiv me coronavirus.

Asnjë prej personave të infektuar nuk është regjistruar në Gjilan.

“Sapo e morëm njoftimin zyrtar nga IKSHP që nuk e kemi asnjë rast të ri me Covid19”, ka shkruar kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Haziri ka njoftuar që një person është shëruar plotësisht, përderisa nëntë raste janë në tretman mjekësor.

Gjithashtu, i pari i Gjilanit ka njoftuar që në izolim janë 7 familje në Lladovë, 3 në Arbëri, 2 në Malishevë të Epërme dhe 1 në Deremahallë.

Po ashtu, ai ka shtuar se në fshtrat Vrapçiq e Zhegër është shuar burimi i infeksionit.

“Po punojmë me zbatim të masave strikte dhe nëse vazhdojmë me këtë lojalitet qytetar, shumë shpejt Gjilani do të jetë komuna e parë që nuk e ka asnjë të infektuar”, ka shkruar Haziri në Facebook.

Sipas IKSHP-në në Kosovë numri total i të prekurve nga coronavirusi ka shkuar në 598, 123 të shëruar dhe 15 të vdekur.

Sipas të dhënave të fundit të Worldometrics, në të gjithë botën numri i të infektuarve me coronavirus është mbi 2.4 milionë kurse numri i të vdekurve ka shkuar mbi 170 mijë.

Vendi me më së shumti të prekur është ShBA, me mbi 780 mijë raste, e ndjekur nga Spanja me mbi 200 mijë dhe Italia me 181 mijë.