Foto: Artpolis
‘Artpolis’ organizon dy aktivitete për ditën e gruas
Qendra për Art dhe Komunitet, “Artpolis” planifikon të organizojë dy aktivitete për të shënuar 8 marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
“Artpolis”, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se aktiviteti i parë që planifikon të organizojë për këtë ditë, është performanca, “A je çikë, a djalë?!”, e cila do të shfaqet më 06 mars 2021, në ora 19:00, në Teatrin “Oda” në Prishtinë.
“Përmes muzikës, tregimeve dhe lëvizjeve skenike do të përjetojmë së bashku dashurinë, intrigën, urrejtjen dhe dhimbjet e provuara nga komuniteti LGBTI+ nga të tjerët që mendojnë se të jesh ndryshe është gabim”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, aktiviteti i dytë do të jetë mbrëmja poetike, “Poezi për fuqi – çdo ditë është 8 mars”. Ky aktivitet do të mbahet më 08.03.2020, prej orës 19:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
“Poete/ë, aktiviste/ë, artiste/ë e të gjithë adhurueset/it e fjalës së shkruar, artit e muzikës, janë të ftuar për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas që nën tingujt e muzikës të lexojmë dhe t’ia dedikojmë grave vargjet më të bukura fuqizuese të poeteve dhe poetëve të shquar”, thuhet në komunikatën e “Artpolis”.