Kushtetuesja pezullon dekretin e Thaçit për Avdullah Hotin

Gjykata Kushtetuese e ka aprovuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për masë të përkohshme lidhur me dekretin e presidentit Hashim Thaçi që mandatoi Avdullah Hotin për kryeministër të ardhshëm.

Sipas Kushtetueses, vendimi për masën e përkohshme është deri më 29 maj 2020.

Të enjten, Lëvizja Vetëvendosje dërgoi kërkesën për masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentit pak minuta pasi që ky i fundit njoftoi se ka mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër.

Kurse, Gjykata Kushtetuese u dha palëve afat për komente për caktim të masës së përkohshme sot deri në orën 12:00.

30 deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dërguan në Kushtetuese dekretimin që Thaçi ia bëri Hotit për kryeministër.

Presidenti Hashim Thaçi përmes një konferencë për media dje ka njoftuar se ka mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër të Kosovës.

Ky është vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:

Vendim për masë të përkohshme

Lënda: KO 72/20 Parashtrues: Rexhep Selimi dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës​

Objekti i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, i datës 30 prill 2020, me të cilin z. Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës si kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se Dekreti nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e qeverisjes dhe ndarja e pushtetit], paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit], paragrafin 14 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], si dhe me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Parashtruesit e kërkesës kërkuan nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë edhe masë të përkohshme mbi Dekretin, “në mënyrë që të parandalohen dëmet e pariparueshme për palën dhe institucionin”.

Më 1 maj 2020, brenda afatit të përcaktuar, Gjykata ka pranuar komente lidhur me masën e përkohshme nga palët në vijim:

Presidenti i Republikës së Kosovës, Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës në detyrë, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Arban Abrashi dhe deputeti Shkëmb Manaj.

Kërkesa bazohej në nenin 113, paragrafi 2, nën-paragrafi 1 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 29 [Saktësimi i kërkesës] dhe 30 [Afatet] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 67 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.2 (1) dhe (2) të Kushtetutës dhe neneve 29 dhe 30 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

– Gjykata, në mbështetje të nenit 116.2 të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullit 57 të Rregullores së punës, më 1 maj 2020, me shumicë votash, vendosi:

I. TË MIRATOJË masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020, nga data e nxjerrjes së këtij Vendimi;

II.​TË PEZULLOJË MENJËHERË zbatimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën I të këtij dispozitivi;

Gjykata, pa paragjykim ndaj pranueshmërisë ose meritave të kërkesës, ka përfunduar se kërkesa e parashtruesve për masë të përkohshme përkitazi me Dekretin e kontestuar të Presidentit duhet të miratohet si e bazuar.