Arrestohet një i dyshuar për vrasjen e tetë personave në Serbi

Tetë persona janë vrarë dhe të paktën 14 persona të tjerë mbetën të plagosur në të shtënat e dyta masive në Serbi që ndodhën gjatë kësaj jave, raporton BBC.

Personi i armatosur thuhet se qëlloi një armë automatike nga një automjet në lëvizje pranë një fshati 60 kilometra në jug të Beogradit.

Raportime e fundit tregojnë se një person i dyshuar është arrestuar para pak çasteve.

Sipas këtyre raportimeve, forcat speciale të policisë serbe veçse janë ende prezentë në fshatrat Mlladenovc dhe Dubonë, ku po dyshohet se ndodhen vrasjet e fundit.

Fotot nga vendi i ngjarjes tregojnë oficerët e policisë deri më tani kanë ndaluar makinat në postblloqe, me qëllim që të lokalizohet  personi i armatosur.

Për kërkimin e personit të armatosur në terren të angazhuar kanë qenë edhe një helikopter, dronë dhe patrulla të shumta policie.

Raportet në mediat lokale thonë se një 21-vjeçar filloi të qëllonte mbi njerëzit me armë automatike pasi pati një debat me një oficer policie në një park në Dubonë mbrëmjen e së enjtes.

Burri më pas thuhet se ka vazhduar të qëllojë njerëz nga një makinë, duke vrarë të paktën tetë persona dhe duke plagosur shumë të tjerë.

Sipas televizionit publik serb, RTS, të gjithë të lënduarit e pranuar në spital kanë lindur pas vitit 2000.

Po ashtu raportohet se dy persona të moshës 21 dhe 23 vjeçare janë operuar, por mbeten në gjendje kritike.

Ministrja e Shëndetësisë, Danica Grujiçiq, dhe kreu i Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë, Aleksandar Vulin, thuhet se kanë udhëtuar në zonën ku ndodhi sulmi në orët e para të së ditës së sotme.

Pak ditë më parë, një adoleshent vrau nëntë persona në një shkollë në Beograd.

I dyshuar në këtë ngjarje është një djalë 13 vjeçar, i cili vrau tetë bashkënxënës në shkollën e tij në Beograd, si dhe një roje sigurie, e po ashtu la disa të tjerë të plagosur.

Ai u raportua se është arrestuar, e nën pranga të policisë mbetën edhe prindërit e tij.

Tetë të vrarë nga të shtënat masive në disa fshatra të Serbisë