Foto: Atdhe Mulla

Arrestohet një i dyshuar për kërcënim të deputetit të Kuvendit të Kosovës

Mbrëmjen e kaluar deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, ka marrë një kërcënim në rrjetin social Facebook, në të cilin i kërkohej që të mos shkojë në Kuvend për sot për ta votuar rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Për kërcënimin, Shala e kishte njoftuar Policinë ndërsa gjatë ditës së sotme, Policia ka njoftuar se ka arrestuar një të dyshuar.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda e PK-së, pas pranimit të informatës se dje, më 24.03.2020, një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes rrjeteve sociale, ka pranuar një mesazh kërcënues për jetën e tij, sot më 25.03.2020, zyrtarët policor kanë kontaktuar deputetin në fjalë dhe ka filluar hetimet policore. Hetuesit policorë, kanë identifikuar dhe më pas intervistuar të dyshuarin Sh.J. i cili dyshohet ta ketë kryer kanosjen, përmes rrjeteve sociale”, ka njoftuar Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

Sipas njoftimit, i dyshuari me vendim të prokurorit pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.