Arrestohet i dyshuari për vjedhjet e para 8 muajve në dy xhami të Shtimes

Një person është arrestuar gjatë ditës së sotme në Shtime nën dyshimin se ka kryer vjedhje të rëndë.

Sipas njoftimit të Policisë, më 26 janar 2022, rreth orës 21:20, Policia kishte pranuar një informacion se në dy objekte fetare, ishin vjedhur para nga arkat ku qytetarët i dhurojnë për bamirësi.

Vjedhja thuhet se kishte ndodhur në xhamitë e fshatit Carralevë dhe në Lagjen e Pajtimit në Shtime.

Policia ka thënë se pas një pune hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, hetuesit kanë arritur që të identifikojnë të dyshuarin dhe vendin e ndodhjes së tij.

I dyshuari, me inicialet S.M., i moshës 27-vjeçare, u arrestua sot pas 8 muajve, më 29 shtator 2022, rreth orës 17:00.

I arrestuari u tha se u dërgua në stacionin e Policisë në Shtime, ku u intervistua nga hetuesit policorë.

Mirëpo, 27-vjeçari me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt hetimore.