Foto: Policia e Shtetit
Arrestohet i dyshuari për tentim vrasje të një polici në Shqipëri
Policia e Shteti ka njoftuar se ka arrestuar personin e dyshuar për plagosjen me armë të një polici mbrëmë në Shqipëri.
Sipas njoftimit të Policisë, shtetasi K.B., 42-vjeçar, ka tentuar të vrasë me armë zjarri punonjësin e policisë, inspektor E.A..
“Gjatë kërkimeve intensive të zhvilluara për kapjen e shtetasit K.B., strukturat e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar autorin e dyshuar. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë, e përdorur gjatë krimit” – ka thënë Policia.
Ngjarja kishte ndodhur në rrugën “Hysen Xhura”, e për kapjen e të dyshuarit shërbimet e Policisë kishin kontrolluar dhjetëra banesa në Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Vlorë.
Policia kishte kërkuar ndihmë nga qytetarët për të dhënë informacione për vendndodhjen e të dyshuarit, madje kishte ftuar qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe kishin vendosur shpërblim 20 mijë euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e tij.
Për kapjen e të dyshuarit ishin angazhuar shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale e Patrullat e Përgjithshme të mbështetura nga Renea.