Arrestohet fotografi i kryeparlamentarit Konjufca, dyshohet për dhunë në familje

Fotografi i kryeparlamentarit Glauk Konjufca, është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për veprën penale “Dhuna në familje”.

KALLXO.com mëson se fotografi në fjalë është Gerolld Nikoliqi, i cili paraprakisht ka qenë fotograf në subjektin politik Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa së fundi ka qenë pjesë e kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës.

Rasti i dhunës në familje, gjatë ditës së djeshme është raportuar edhe në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Nikoliqi dyshohet se ka qenë i dehur dhe ka ushturuar dhunë ndaj një viktime.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje” – thuhet në raport.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë shefin e kabinetit të Konjufcës, Ilir Kërçeli për të marrë një qëndrim nga ana e tij, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.