Arrestohet edhe një punonjëse e çerdhes "Cambridge Kids"

Dy persona janë ndaluar në lidhje me skandalin i cili u publikua gjatë këtyre dy ditëve, ku shihen punonjëset e një çerdheje private deri sa keqtrajtonin fizikisht fëmijët.

Lajmin për arrestimin e punonjëses së dytë të kësaj çerdheje e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Mund të ju konfirmoj se janë të ndaluara dy të dyshuara në rastin të cilin tashmë po dihet për keqtrajtim të fëmijëve. Prokurori kujdestar për të mitur ka kërkuar paraburgimin për të dy të dyshuarat”, tha Ulaj për KALLXO.com.

KALLXO.com mbrëmë raportoi në lidhje me rastin ku një grua kishte publikuar në rrjetin social Facebook një video- incizim se në çerdhen private “Cambridge Kids” punonjësja po i keqtrajtonte fëmijën 16 muajsh.

Policia mëngjesin e sotëm ka njoftuar se mbrëmë ka arrestuar njërën punonjëse që shihet në video-incizimet deri sa godiste fëmijën e vogël ndërsa një punonjëse tjetër sipas Prokurorisë është arrestuar gjatë ditës së sotme.

KALLXO.com raportoi sot edhe se çerdhja “Cambridge Kids” nuk ka licencë dhe as s’ka bërë kërkesë për t’u licencuar.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, drejtori i Departamentit të Arsimit Parauniversitar, Alush Istogu.

“Çerdhja në fjalë nuk ka licencë dhe as kërkesë. Janë duke u marrë Inspektorati i Arsimit dhe zyrtarët përkatës për institucionet private në lidhje më këtë çështje”, ka thënë Istogu.

 E njëjta çerdhe është mbyllur sot nga Inspektorati.

Policia po heton pamjet që shfaqin dhunë ndaj fëmijës në një çerdhe private