Arrestohet edukatorja e çerdhes, e dyshuar për rrahje të fëmijës

Mbrëmjen e kaluar një edukatore e çerdhes private “Cambridge Kids” në Prishtinë është arrestuar nga policia.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Rajonit të Prishtinës, Florie Ahmeti- Haziraj.

“Me datën 10 shkurt 2020 ne stacionin policor jugu ne Prishtine është iniciuar një rast Keqtrajtim i fëmijës. Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar personin e dyshuar, e cila me urdhër te prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka thënë Ahmeti- Haziraj

Tutje ajo shtoi se në koordinim me prokurorinë përkatëse janë duke u ndërmarrë te gjitha veprimet e nevojshme policore për rastin.

KALLXO.com raportoi mbrëmjen e kaluar në lidhje me një video incizim të cilën një grua  i kishte publikuar në rrjetin social “Facebook” dhe ku pretendonte se një punonjëse në çerdhe ia kishte rrahur fëmijën.

Në reagimin e gruas thuhet se dadoja e cila është e punësuar në po të njëjtën çerdhe i ka rrahur fëmijën për shkak se i njëjti nuk ka dëshiruar që të ulet në karrocë.

Policia i kishte thënë mbrëmë KALLXO.com se po hetonte rastin ndërsa, dy ditë më parë gruaja kishte lajmëruar në polici rrahjen e fëmijës.

Policia kishte hapur rast për keqtrajtim të fëmijës.

Gjithashtu çerdhja private në një reagim kishte kërkuar falje dhe kishte treguar se kishte larguar nga puna punonjësen e cila shihet në video-incizimet nga kamerat e sigurisë deri sa ushtronte dhunë fizike ndaj fëmijës.

Policia po heton pamjet që shfaqin dhunë ndaj fëmijës në një çerdhe private