Çerdhja ku ndodhi rrahja e fëmijës, nuk ka licensë

Çerdhja “Cambridge Kids” nga ku dje rrodhi një video që dyshohet se është keqtrajtuar një fëmijë nga një edukatore e saj, nuk ka licencë dhe as s’ka bërë kërkesë për tu licensuar.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Drejtori i Departamentit të Arsimit Parauniversitar, Alush Istogu.

“Çerdhja në fjalë nuk ka licencë dhe as kërkesë. Janë duke u marrë Inspektorati i Arsimit dhe zyrtarët përkatës për institucionet private në lidhje më këtë çështje”, ka thënë Istogu.

KALLXO.com  ka dërguar pyetje edhe në institucionin parashkollor dhe është duke pritur përgjigje. Sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, kjo çerdhe është në pronësi të Gjyljeta Shalës dhe Kushtrim Shalës.

Sot është arrestuar edukatorja e çerdhes, e dyshuar për rrahje të fëmijës.

Arrestimi erdhi pasi dje qarkulloi  një video incizim të cilën një grua e kishte publikuar në rrjetin social “Facebook” dhe ku pretendonte se një punonjëse në çerdhe ia kishte rrahur fëmijën.

Në reagimin e gruas thuhet se dadoja e cila është e punësuar në po të njëjtën çerdhe i ka rrahur fëmijën për shkak se i njëjti nuk ka dëshiruar që të ulet në karrocë.

Policia kishte thënë mbrëmë se po hetonte rastin ndërsa, dy ditë më parë gruaja kishte lajmëruar në polici rrahjen e fëmijës.

Policia kishte hapur rast për keqtrajtim të fëmijës.

Gjithashtu çerdhja private në një reagim kishte kërkuar falje dhe kishte treguar se kishte larguar nga puna punonjësen e cila shihet në video-incizimet nga kamerat e sigurisë deri sa ushtronte dhunë fizike ndaj fëmijës.