Inspektorati mbyll çerdhen “Cambridge Kids”

Inspektorati i Arsimit e ka mbyllur çerdhen “Cambridge Kids”,  ku dje rrodhi një video që dyshohet se është keqtrajtuar një fëmijë nga një edukatore e saj.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, kryeinspektori i Arsimit, Dëfrim Gashi.

“Ne si Inspektorat i Arsimit kemi kontastuar se ajo e ashtuquajtuar çerdhe, ka vepruar pa licencë punëe dhe në këto raste është praktikë e jona dhe obligim ligjor i yni që të marrim vendim me e mbyllë një instuticion që nuk ka kaluar përmes procedurës së rregullt ligjore, pa licencë pune,” ka thënë ai.

Drejtori i Inspektoratit të Arsimit ka shtuar se vendimin e kanë marrë sot dhe e kanë lajmëruar çerdhen në fjalë.

“Sapo e kemi konstatuar sot, gojarisht ju kemi thënë që nuk guxon me u ushtru këtë veprimatari dhe në ndërkohë është duke u përgatitur vendimi zyrtar mos me ushtru veprimtarinë,” ka shtuar Gashi.

I pyetur për numrin e çerdheve që nuk kanë licencë, ai ka thënë se nuk kanë një numër total të tyre.

KALLXO.com më herët raportoi më herët se instuticioni parashkollor nuk ka licensë dhe as s’ka bërë kërkesë për t’u licensuar.

KALLXO.com  ka dërguar pyetje edhe në institucionin parashkollor dhe është duke pritur përgjigje. Sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, kjo çerdhe është në pronësi të Gjyljeta Shalës dhe Kushtrim Shalës.

Sot është arrestuar edukatorja e çerdhes, e dyshuar për rrahje të fëmijës.

Arrestimi erdhi pasi dje qarkulloi  një video incizim të cilën një grua e kishte publikuar në rrjetin social “Facebook” dhe ku pretendonte se një punonjëse në çerdhe ia kishte rrahur fëmijën.

Në reagimin e gruas thuhet se dadoja e cila është e punësuar në po të njëjtën çerdhe i ka rrahur fëmijën për shkak se i njëjti nuk ka dëshiruar që të ulet në karrocë.

Policia kishte thënë mbrëmë se po hetonte rastin ndërsa, dy ditë më parë gruaja kishte lajmëruar në polici rrahjen e fëmijës.

Policia kishte hapur rast për keqtrajtim të fëmijës.

Gjithashtu çerdhja private në një reagim kishte kërkuar falje dhe kishte treguar se kishte larguar nga puna punonjësen e cila shihet në video-incizimet nga kamerat e sigurisë deri sa ushtronte dhunë fizike ndaj fëmijës.